Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje Partisë Demokratike që të rikonsiderojë qëndrimin e saj për pjesëmarrjen në zgjedhjet për kreun e Bashkisë së Kavajës më 7 maj si dhe për zgjedhjet e përgjithshme në 18 qershor.
Në video-monologun e përjavshëm në Facebook, Rama tha se është gati të dialogojë me opozitën për të garantuar çdo mekanizëm për zgjedhje të sigurta. E megjithatë, kryeministri përsëriti qëndrimin e tij se nuk do të tërhiqet dhe nuk do të ketë qeveri teknike.
Kreu i qeverisë përmendi sërish vetingun, që duhet të miratohet për të garantuar sa më shumë vende pune dhe investime të huaja.
“Vetingu është jetik për Shqipërinë por dhe si një shtysë e fortë për rritjen e punësimit. Ka ende shumë të rinj që përballen me papunësinë. Pavarësisht se është bërë shumë, jam unë i pakënaquri i parë dhe sa shumë ka për t’u bërë. Shqipëria që duam është Shqipëria e së ardhmes, jo Shqipëria e të shkuarës me paligjshmëri.
Thirrja ime për PD është të dialogojmë për çdo mekanizëm që i duhet Partisë Demokratike që të ndihet e garantuar për zgjedhje. Por qëndrimi im do mbetet i pandryshuar. Prandaj PD duhet ta harrojë qeverinë teknike dhe shtyrjen e zgjedhjeve. Askush nuk na imponon dot përsëritjen e avazeve të vjetra. E ardhmja do të vendoset në 18 qershor, jo për 4 vitet e ardhshme por për gjeneratat e ardhshme”, tha Kryeministri Edi Rama.
Video-monologu i Kryeministrit Edi Rama këtë të dielë u bë në orën 18:00, ndryshe nga herët e tjera që transmetohet në Facebook në orën 17:00. Shefi i qeverisë nuk dha asnjë shpjegim për ndryshimin e orarit.