Parlamentarët gjermanë ia tregojnë Bashës kushtet para negociatave me Shqipërinë

Shqipëria

Parlamentarët gjermanë ia tregojnë Bashës kushtet para negociatave me Shqipërinë

Më: 28 janar 2017 Në ora: 10:24
Parlamentarët gjermanë dhe Basha

Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha, ka deklaruar se parlamentarët gjermanë kanë shprehur mbështetjen për Shqipërinë, por kanë ripërsëritur qëndrimin e Bundestagut se vetëm reformat serioze dhe rezultatet konkrete kundër krimit të organizuar e drogës, dekriminalizmit të politikës, zbatimit të reformës në drejtësi dhe mbi të gjitha, mbajtja e zgjedhjeve të ndershme dhe të lira, do ta bindin Bundestagun të hapë dritën jeshile për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Nëpërmjet një postimi në statusin e tij Facebook mëngjesin e së shtunës, Basha ka njoftuar se dje ka zhvilluar në Bundestagun gjerman një takim dhe drekë pune me disa nga drejtuesit kryesore të tij, përfshi Kryetarin e Çështjeve Europiane, Gunther Krichbaum, Kryetarin e Komisionit të Ekonomisë dhe Energjisë, Andreas G. Lämmel, Kryetarin e Komisionit për Parandalimin e Krizave, Thorsten Frei, si dhe Këshilltarin Politik të shumicës parlamentare CDU-CSU, Hans-Joachim Falenski.

Ai thekson:  “Çështja kryesore e bisedës ishte plotësimi i kushteve të Shqipërisë për hapjen e negociatave. Parlamentarët gjermanë më rishprehën edhe një herë vëmendjen dhe mbështetjen e tyre të pandryshuar për Shqipërinë. Por, ata ripërsëritën qëndrimin e Bundestagut se vetëm reformat serioze dhe rezultatet konkrete kundër krimit të organizuar e drogës, dekriminalizmit të politikës, zbatimit të reformës në drejtësi dhe mbi të gjitha, mbajtja e zgjedhjeve të ndershme dhe të lira, do ta bindin Bundestagun të hapë dritën jeshile për hapjen e negociatave me Shqipërinë”.

Më tej Basha shton se “Me parlamentarët gjermanë bisedova gjithashtu për reformat e thella ekonomike dhe politike që ka nevojë Shqipëria dhe vizionin e alternativën time politike dhe ekonomike për të ardhmen e vendit. Politikanët gjermanë u shprehën të kënaqur që prioritetet e opozitës janë edhe prioritetet e BE-së për Shqipërinë dhe më inkurajuan në përpjekjet për zbatimin e tyre. Prej tyre mora mbështetje të plotë dhe gadishmërinë për të më ndihmuar për realizimin e vizionit për ndryshimin e Shqipërisë, duke filluar me mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe pastaj me një qeverisje të përgjegjshme dhe në shërbim të njerëzve”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat