Raporti i PE: Kusht Vettingu, konsensus politik për zgjedhjet

Shqipëria

Raporti i PE: Kusht Vettingu, konsensus politik për zgjedhjet

Më: 27 janar 2017 Në ora: 09:49
Mbledhja e PE

Cilësia e zgjedhjeve në Shqipëri dhe ndryshimet e kodit zgjedhor ka qenë edhe një ndër temat e diskutuara në Parlamentin Europian në Strasburg ditën e enjte, ku është diskutuar raporti i progresit për nëntë vende nën monitorim, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Reporteri gjerman i PE-së, Andrej Hunko dhe irlandezi Joseph O’Reilly folën për traditën problematike me procesin zgjedhor dhe vonesat në numërimin e votave në Shqipëri.

Ata theksuan se ndryshimet që mund të bëhen në kodin elektoral shqiptar nuk janë të mjaftueshme për të zgjidhur problemet që shfaqen ditën e zgjedhjeve, por edhe në vijimësi. Por pavarësisht kësaj, për të minimizuar problemet dy raportuesit inkurajuan forcat politike që të punojnë së bashku për të implementuar rekomandimet e OSBEsë në kodin elektoral dhe të realizuar zgjedhje të lira dhe demokratike. Ndër të tjera në raport janë pasqyruar edhe shqetësimet në lidhje me politizimin e mediave, duke përfshirë këtu transmetuesin publik TVSH, pavarësia e të cilit shihet si shqetësues.

Ata ngritën në veçanti çështjen e vetë-censurës e përhapur në mesin e gazetarëve dhe kritikoi se pavarësia editoriale cenohet shpesh nga ndikimi politik. Kujtojmë që dy reporterët ishin në Shqipëri nga data 26 deri më 30 tetor e vitit 2016, për të parë nga afër përparimin e vendit tonë. Në rezolutën e miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës theksohet se miratimi i amendamenteve kushtetuese ka hapur rrugën për një reformë tërësore dhe gjithëpërfshirëse të gjyqësorit shqiptar në mënyrë që të sigurohet paanësia dhe pavarësia nga influenca dhe presioni kryesisht politik. “Klima e tensionuar politike vijon në Shqipëri. Është me rëndësi që të arrihet konsensus mes të gjithë faktorëve politikë për reformën elektorale në mënyrë që të gjejnë zgjidhje problematikat e shfaqura në zgjedhjet e kaluara, mbi bazën e rekomandimeve që ka dhënë Komisioni i Venecias dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës”, thuhet në raport. Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly kanë vënë në dukje se zbatimi praktik i reformës në drejtësi dhe në veçanti i ligjit të vetting-ut, rivlerësimi i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë mbetet kusht edhe në hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE.

Ata theksuan se reformimi i sistemit të gjyqësorit duhet të jetë faktori më i rëndësishëm në luftën ndaj korrupsionit në administron shqiptare dhe krimit të organizuar. Në raportin e dy ligjvënësve evropiane thuhet se gjyqësori vijon të ketë pavarësi dhe paanshmëri të pamjaftueshme dhe vijon të jetë lehtësisht i ndikueshëm nga presionet politike. Një pjesë të rëndësishme në raport zë edhe ligji i dekriminalizimit, i cili është përshëndetur si një përpjekje pozitive për të pastruar politikën nga ndikimi i krimit dhe korrupsionit, por megjithatë kërkohet që ai të japë efekte të prekshme. Këshilli i Europës kërkon që të krijohen kushtet për zgjidhjen përfundimtare të problemit të pronave, si dhe krijimin e kushteve për një media profesionale dhe të pandikuar nga politika. Për sa kohë nuk ka rezultate të prekshme dhe konsensus politik për reformat, Shqipëria do të mbetet në listën e monitorimit krahas Armenisë, Azerbajxhanit, Bosnje Hercegovinës, Gjeorgjisë, Moldavisë, Federatës Ruse, Serbisë dhe Ukrainës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat