Basha: Rama ka humbur lidhjen me realitetin, s’kam frikë nga Vettingu

Shqipëria

Basha: Rama ka humbur lidhjen me realitetin, s’kam frikë nga Vettingu

Më: 27 nëntor 2016 Në ora: 20:59
Foto e postuar nga Lulzim Basha në llogarinë e tij në Facebook

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i është përgjigjur kryeministrit të vendit Edi Rama, lidhur me bllokimin e mundshëm të Vettingut dhe për deklaratat e deputetëve gjermanë, për të cilët kreu i qeverisë tha se “u vunë në krah të PD-së”.

Basha ka shkruar në “Facebook” një status, ku nënvizon se Rama bën armiq të gjithë ata që kanë guximin ta kritikojnë. Sipas kreut demokrat, kryeministri ka humbur lidhjen me realitetin. Për Bashën, Rama shikon makthe si udhëheqësit e dikurshëm komunist, me të cilët është rritur dhe edukuar.

Deklarata e plotë e Lulzim Bashës

Ndërsa po kthehem në Tiranë nga takimet me qytetarët plot halle dhe shqetësime të Memaliajt, Tepelenës, Përmetit, Gjirokastrës, Sarandës dhe Delvinës, dëgjova mesazhin që Edi Rama kishte lënë mbrapa për popullin e tij, ndërsa vetë është duke shijuar, prej dy ditësh, argëtime luksoze dhe ndeshje futbolli nëpër Itali e Gjermani. Me gjuhen e plakur te gënjeshtrave ditore Edi Rama shpalli armiq të tij dhe të shqiptarëve gjysmën e Shqipërisë dhe gjysmën e Europës, të gjithë ata që kanë guxuar ta kritikojnë.

Vulgariteti i zakonshëm dhe mentaliteti autokratik, përzierë me arrogancën që jep pushteti dhe paraja, duket se e kanë shpërfytyruar Edi Ramën deri aty sa ka humbur çdo lidhje me realitetin dhe ka filluar të shohë të njëjtat ëndrra e përjetojë të njëjtat makthe si udhëheqësit e dikurshëm komunistë, mes të cilëve u lind dhe u edukua. E vërteta është se as unë dhe as demokratët nuk jemi të gëzuar për vonesën e fillimit të negociatave me Bashkimin Europian. Përkundrazi, ne jemi shumë të shqetësuar.

Ne jemi të shqetësuar dhe të turpëruar që të gjitha mediat dhe politikanët e Europës po flasin për drogën e krimin në Shqipëri dhe rrezikun që ata ndjejnë nga kjo situatë. Por më e rëndësishmja është se, si të gjithë njerëzit e ndershëm në Shqipëri, ne jemi të alarmuar që krimi dhe droga po shtien në dorë politikën dhe ekonominë e vendit, duke shkatërruar edhe shpresën e fundit të shqiptarëve për të ndërtuar të ardhmen e tyre në Shqipëri. Ne nuk mund të heshtim dhe nuk do të heshtim para kësaj situate. Askush nuk duhet të heshtë. Historia jonë ka treguar që sa herë ne kemi heshtur dhe kemi bërë kompromis me të keqen vetëm kemi vuajtur dhe kemi mbetur mbrapa.

E keqja Shqipërisë nuk i ka ardhur asnjëherë nga kritikët dhe nga zërat e lirë që kërkojnë liri, rend, të drejta dhe të vërtetën. E keqja Shqipërisë i ka ardhur përherë nga autokratët që pushtetin e kanë përdorur për t‘u pasuruar për vete, duke shtypur çdo zë të lirë dhe çdokënd që guxon të mendojë ndryshe nga ata që ju kanë mbajtur ison.

E keqja Shqipërisë i ka ardhur përherë nga ata udhëheqës që për dështimet dhe të zezat që bëjnë vetë kanë fajësuar armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm, konspiracionet nga Amerika në Europë; nga ata që betoheshin se bota le të flasë dhe armiku të pëlcasë, por ata do të vazhdonin të palëkundur në rrugën e tyre.

Edi Rama i shpalli sot deputetët austriakë, gjermanë, holandezë dhe europianë armiq. Por të gjithë ne shqiptarët e dimë fare mirë se kanë qenë këta “armiq” që kanë miratuar qindra milionë euro ndihmë për popullin shqiptar nga paratë e popujve të tyre, ndërkohë që Edi Rama i rrëmben çdo vit popullit të tij qindra miliona euro për vete dhe klientët e tij. Ne e dimë shumë mirë se ishin deputetët austriakë, gjermanë, holandezë dhe të gjithë BE-së që hapën krahët për Shqipërinë dhe miratuan fillimisht marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, heqjen e vizave dhe më pas statusin e kandidatit të Shqipërisë.

Nëse këta deputetë që Edi Rama i shpalli sot armiq do të ishin të tillë ne sot do të ishim shumë larg Evropës. Në fakt deputetët austriakë, gjermanë, holandezë dhe mediat evropiane po flasin kundër Edi Ramës dhe qeverisë së tij dhe jo kundër shqiptarëve. Është Edi Rama që do të na bindë se ata janë armiqtë tanë. Por ata janë Europa, ku ne duam të shkojmë. Së fundi, edhe një herë për ligjin e vettingut që Edi Rama përdor si pretekst të dështimit të tij. Partia Demokratike është pro vettingut dhe reformës në drejtësi. Ajo kërkon që të gjithë të korruptuarit dhe të inkriminuarit, kushdo qofshin ata, demokratë, socialistë, pushtetarë, ish-pushtetarë, gjykatës, prokurorë apo zyrtarë të thjeshtë, të përgjigjen para drejtësisë. Ne do të bëjmë cdo gjë që kemi në dorë që kjo të ndodhë.

Por Partia Demokratike nuk mund të pranojë dhe nuk do të lejojë që procesi i vettingut të bjerë në dorë të Edi Ramës dhe vartësve të tij. Vetingu i Edi Ramës është gjë e mirë vetëm për kriminelët me të cilët Edi Rama erdhi dhe qëndron në pushtet. Unë nuk kam asnjë frikë nga vettingu. Nga vettingu kanë frikë Elvis Rroshi dhe kriminelët që kontrollojnë Edi Ramën. Por unë nuk kam asnjë iluzion se një njeri që nuk guxon të shkarkojë nga detyra një përdhunues dhe trafikant droge të dënuar nga drejtësia evropiane mund të bëjë drejtësi për shqiptarët. Që të bëhemi pjesë e Europës, ne duhet të kemi një drejtësi të pavarur nga çdo politikan, sikurse e ka Europa. Që të bëhemi pjesë e Europës, Shqipëria duhet të jetë pa drogë, qeveritarët të jenë të ndershëm dhe zgjedhjet e lira.

Por mbi të gjitha, këto janë kushtet themelore për të krijuar një shoqëri të denjë ku të gjithë shqiptarët të gjejnë mundësi për të ndërtuar të ardhmen e tyre të cilën sot e gjejnë vetëm duke braktisur atdheun.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat