Basha takon drejtorin për zgjerimin: Të garantohen zgjedhje të lira

Shqipëria

Basha takon drejtorin për zgjerimin: Të garantohen zgjedhje të lira

Më: 16 nëntor 2016 Në ora: 17:36
Takimi Basha-Danielson

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka pritur sot në një takim drejtorin për zgjerimin në Komisionin Evropian Kristian Danielson, me të cilin ndau vlerësimin për marrjen e rekomandimit për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së.

Basha ka shprehur shqetësimin e tij për një sërë sfidash që po has Shqipëria. Ai tha se vendi ynë ka një sërë problemesh, por probleme sidomos janë droga, korrupsioni, mbajtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme, si dhe zbatimi i ligjit për dekriminalizmin. Ndërsa, Danielson ka vlerësuar nga ana tjetër kontributin e PD-së në mbështetjen e reformave, të cilat e çojnë vendin drejt aspiratave evropiane.

Kreu i opozitës tha se PD-ja do të jetë gjithnjë për një Shqipëri të demokratizuar dhe jo peng i krimit.  “Kthimi i drogës në aktivitetin më të madh prodhues në vend, investimi i krimit të organizuar për të ndërtuar një infrastrukturë të tërë të prodhimit dhe trafikimit të drogës, dhe mosveprimi i shtetit ndaj trafikantëve janë indikacione të qarta të rolit nxitës dhe mbrojtës për këtë aktivitet nga segmentet më të larta shtetërore”, theksoi kreu i opozitës.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe Drejtori për Zgjerimin kanë ndarë shqetësimin për një sërë çështjesh të mprehta problematike si droga dhe krimi i organizuar, zgjedhjet e lira dhe lufta kundër korrupsionit. Ata thanë se duhet bërë gjithçka për të eliminuar të tilla probleme që ka vendi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat