Inspektimi i Armë-Kontrollit në Shqipëri, sipas Dokumentit të Vjenës

Shqipëria

Inspektimi i Armë-Kontrollit në Shqipëri, sipas Dokumentit të Vjenës

Më: 27 shtator 2016 Në ora: 23:17
ilustrim

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura është shprehur sot me anë të një deklarate për shtyp se gjatë ditës së sotme pritet të vijë në Shqipëri për inspektim Armë-Kontrolli, një ekip i Federatës Ruse”.

“Inspektimi është një prej tre inspektimeve rutinë që Shqipëria ka detyrimin për t’i pritur dhe aplikimi i shtetit inspektues është bërë në përputhje me kërkesat e “Dokumentit të Vjenës” dhe po trajtohet nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm në mënyrë korrekte në respekt të ligjeve të vendit dhe të detyrimeve që burojnë nga Dokumenti i Vjenës”, thekson Shtabi i Përgjithshëm i FA.

Shtabi i Përgjithshëm i FA shton se një nga 20 fushat e veprimit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim të Evropës (OSBE) është edhe Armë-Kontrolli. Në bazë të “Dokumentit të Vjenës të vitit 2011”, shtetet anëtare (nënshkruese të dokumentit) kanë detyrimin të presin tre vizita inspektimi në vit dhe një vizitë vlerësuese. Në të njëjtën kohë, ato kanë të drejtën, që në përputhje me parashtrimet e dokumentit të Vjenës, të ushtrojnë tre inspektime dhe një vizitë vlerësuese në vendet anëtare të OSBE”.

Edhe Shqipëria nga ana tjetër, vijon deklarata, “si anëtare e OSBE që prej vitit 1991 dhe nënshkruese e “Dokumentit të Vjenës” e ka ushtruar dhe vazhdon ta ushtrojë të drejtën e saj duke kryer inspektime dhe vlerësime, e vetme ose në bashkëpunim me shtete të tjera. Më herët gjatë këtij viti, Shqipëria ka kryer inspektime në Azerbajxhan, Moldavi dhe Malin e Zi”.

“Gjithashtu, në kuadër të Kapitullit IV, javën e kaluar është marrë pjesë në një vizitë në një bazë ajrore në Federatën Ruse”, përfundon deklarata.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat