Dukagjin, arrestohen disa zyrtarë gjatë operacionit kundër drogës

Shqipëria

Dukagjin, arrestohen disa zyrtarë gjatë operacionit kundër drogës

Më: 30 gusht 2016 Në ora: 15:54
ilustrim

Operacioni kundër bimëve narkotike, që nisi një ditë më parë në zonën malore të Dukagjinit, ka zbuluar përfshirjen e zyrtarëve vendorë në kultivimin e drogës. Policia vendore e Shkodrës njoftoi sot arrestimin e administratorit të Njësisë Administrative Pult, në Dukagjin të Shkodrës si dhe kryeplakut të fshatit Kir.

Gjatë kontrollit në banesën e administratorit të Pultit, Tom Marku, policia sekuestoi lëndë narkotike si dhe një armë gjahu pa leje me 6 fishekë. Gjatë këtij operacioni, policia zbuloi edhe 99 parcela me rreth 20 mijë bimë narkotike.

Në operacionin anticannabis, që po vazhdon edhe sot në zonën malore të Dukagjinit, policia njoftoi se ka angazhuar 200 forca policore, mes tyre edhe forca policore të ndërhyrjes së shpejtë. Operacioni është përqendruar në dy zona; atë të Pultit dhe zonën Koman-Temal.

Pas Lazaratit, zona malore e Dukagjinit është shndërruar në zonën më problematike në Shqipëri përsa i përket kultivimit të bimëve narkotike.

Operacionet masive anticannabis, të zhvilluara vitet e fundit në këtë zone, disa herë kanë çuar edhe në përplasje me armë mes forcave të policisë dhe kultivuesve e trafikantëve të drogës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat