Vrasja e turistit rus: Zbardhet dëshmia e biznesmenit

Shqipëria

Vrasja e turistit rus: Zbardhet dëshmia e biznesmenit

Më: 4 gusht 2016 Në ora: 14:57
Skafi

Ngjarja e rëndë ndodhi në plazhin e Livedhit në Himarë, ku 43-vjeçari Denis Kaiumov u godit nga një motoskaf dhe gjeti vdekjen teksa ishte duke notuar. Reagon Policia e Shtetit: Përgjegjësinë mbi distancat e lundrimit, lejen e mjeteve dhe oraret e përdorimit i vendos pushteti lokal. Policia ka arrestuar në flagrancë për vrasje nga pakujdesia shtetasin Fatmir Kuçi, 44 vjeç, banues në Elbasan. Por ai e mohon krimin

Udhëton nga Rusia drejt Shqipërisë me bashkëshorten dhe vajzën, por vdes i copëtuar nga një gomone teksa ishte duke notuar.

Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e djeshme në plazhin e Livadhit në Himarë.

Sipas policisë lokale, viktimë mbeti Denis Kaiumov, 43 vjeç, pasi gjatë kohës kur po notonte një motoskaf i ka kaluar sipër duke i shkaktuar plagë të shumta në gjymtyrë dhe kokë.

Edhe pse pushuesit janë munduar t’i japin ndihmën e parë dhe dërgonin në spital ai humbi jetën gjatë rrugës.

Policia ka arrestuar në flagrancë për vrasje nga pakujdesia shtetasin Fatmir Kuçi, 44 vjeç, banues në Elbasan.

Ky shtetas, duke drejtuar mjetin lundrues tip skaf-plastik me mbishkrimin “Black Arrow”, dyshohet se ka dëmtuar aksidentalisht shtetasin rus, i cili ka gjetur vdekjen për shkak të plagëve të marra në spitalin e Himarës.

Gjithashtu, policia ka sekuestruar dhe konfiskuar 2 mjete lundruese në përdorim dhe në pronësi të Kuçit.

Por biznesmeni nga Elbasani ka thënë në polici se nuk e ka goditur ai Denis Kaiumov, por thjesht ka ndaluar për t’i dhënë ndihmë.

“Pashë një person që kërkonte ndihmë dhe shkova për ta ndihmuar. Ndodhej rreth 800 metra larg bregut”, ka thënë Kuçi.

Nga ana tjetër burime nga policia kanë thënë për Televizionin Klan se biznesmeni nuk ka pasur miratimin për të dalë në lundrim.

Sipas policisë Fatmir Kuçi nuk ka njoftuar policinë (të merrte leje) se do të dilte me për lundrim me “skafin-plastik”, me mbishkrimin “Black Arrow”.

Njoftimi është procedurë detyruese ndaj policisë.

Përveç siguracionit, dokumentet e tjera për këtë mjet lundrues biznesmeni nga Elbasani i ka pasur në rregull.

Mediat e majta shkruajnë se Fatmir Kuçi njihet dhe për lidhjet e tij me Partinë Demokratike dhe kryetarin e saj, Lulzim Basha, teksa figuron të jetë sponsor i disa fushatave elektorale të demokratëve.

Ngjarja

Shumë pushues kanë mbetur të tronditur ndërsa shprehin revoltën e tyre pasi si motorrët e detit ashtu edhe motoskafet po u rrezikojnë seriozisht jetën.

Shtetasi rus kishte mbërritur në Shqipëri për pushime me bashkëshorten dhe vajzën e tyre, por ka gjetur vdekjen rreth 50 metra larg bregut të detit.

Menjëherë pasi ndodhi ngjarja aksidentale policia kufitare është vënë në kërkim të autorit i cili u ndalua bashkë me mjetin disa milje larg, në tentativë për t’u larguar.

Nga ngjarja e papritur, tronditje psikologjike nga humbja e jetës së 43-vjeçarit kanë pasuar bashkëshortja dhe vajza e tij.

Në vitet e fundit turistë nga Rusia, Polonia apo edhe Gjermania janë shtuar gjithnjë e më shumë, po aksidente të tilla që më shumë vijnë nga mungesa e masave sjellin pasiguri tek të gjithë pushuesit.

Po ditën e djeshme ka reaguar Policia e Shtetit duke u nisur pikërisht nga ky incident i rëndë, pasi pati reagim të madh nga shumë qytetarëve që ankohen për lirshmërinë si motorët e detit dhe motoskafet lëvizin fare pranë bregut.

Strukturat e rendit bëjnë përgjegjës pushtetit lokal që sipas tyre nuk marrin masat e duhura.

Sipas njoftimit policia ka dhënë deri më tani 37 masa ndaj përdoruesve të mjeteve lundruese, 37 gjobat për shkelje të ndryshme, vlera totale prej 671.000 lekë, dhe 10 mjete lundruese janë bllokuar për mungesë dokumentacioni.

Policia e Shtetit ka konstatuar gjithashtu edhe mangësi në Njësitë e Qeverisjes Vendore për sigurinë në det, plazhe, në ujërat e brendshme në thellësi të territorit dhe gjatë ushtrimit të sporteve ujore.

“Nisur nga ngjarja e rëndë që  ndodhi, ku humbi jetën një pushues në zonën e Himarës, Policia e Shtetit informon se Bashkisë Himarë i janë dërguar 6 shkresa zyrtare për plotësimin e detyrimeve që rrjedhin nga VKM nr. 321”-thuhet në deklaratën e policisë.

Ndër të tjera theksohet se qeveritë vendore duhet të identifikojnë zonat e përshtatshme si zona çlodhëse të konsideruara të sigurta dhe të shëndetshme, dhënia e autorizimit për plazhe, dhënia e lejeve dhe autorizimeve për përdorim publik, sporte ujore, heqja e lejeve në rast se përdoruesit nuk përmbushin kushtet,  vënia e gjobave për përdorimin jashtë kritereve të mjeteve lundruese dhe të plotësimi i kushteve kushteve higjieno–sanitare.

Në këtë mënyrë policia ka shmangur përgjegjësinë në lidhje me ngjarjen e djeshme, pasi sipas saj pushteti vendor në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme Detare përcakton zonat e përdorimit të mjeteve lundruese argëtuese, të cilat të jenë të shënuara në mënyrë të dukshme me shënues të veçantë, ku të tregohen dhe korridoret e hyrjes e daljes nga uji.

Gjithashtu janë të përcaktuara edhe distancat e ushtrimit të aktivitetit të lundrimit nga këto mjete dhe oraret e përdorimit të tyre.

Në rastin e djeshëm janë shkelur të gjithë pikat, pasi motoskafi po lëvizte me shpejtësi të madhe rreth 50 metra larg bregut të detit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat