Prapaskenat: Meta ‘rrëzon” qeverinë teknike

Shqipëria

Prapaskenat: Meta ‘rrëzon” qeverinë teknike

Më: 3 gusht 2016 Në ora: 09:25
Kreu i Kuvendit, Ilir Meta

Kreu i Kuvendit tha se çështjet e koalicionit nuk duhen ngatërruar me reformën në drejtësi. Dalja e Metës dy orë pasi Basha ishte deklaruar për qeveri teknike. “Është kushti ynë për zgjedhjet, mirëpres çdo forcë politike.” Bregu: Ok qeveri teknike, po si? PS-LSI ka 84 vota. Rama: Kemi kontratë katër vjeçare me shqiptarët

Nuk ishte për mesazh politik, por për masazh. Megjithatë, dy orë pas deklaratës së Lulzim Bashës për qeveri teknike, kryetari i LSI-së, Ilir Meta foli për shumëçka në një dalje spontane për mediat, të cilët e prisnin pas një takimi të supozuar mes tij dhe Koço Kokëdhimës në Hotel Grand.

“…Duke qenë i shqetësuar se përsëri nesër apo në ditët e tjera mund të ketë ndonjë mesazh që z. Meta vajti tek Hotel Grand, ndërkohë edhe z. Koço është tek Grand, i cili ka shtëpinë ngjitur dhe rri vazhdimisht tek Hotel Grandi apo edhe politikanë të tjerë që rrinë këtu edhe për arsye të vendndodhjes së Hotel Grandit. Dua t’ju sqaroj se unë kam qenë për dy orë me Arjanin dhe rri vazhdimisht këtu. Arjani është një miku im, por në këtë rast është trajneri im, është edhe masazhatori im për një kohë shumë të gjatë dhe më ndihmon që të çliroj trupin dhe mendjen nga toksinat. Në mënyrë që të përpiqem të kontribuoj pozitivisht për të detoksikuar në politikën shqiptare, aq sa të mundem…”, – tha Meta duke theksuar se arsyeja kryesore për të cilën ai vjen në atë hotel lidhet pikërisht me ushtrimet e tij fizike dhe jo me ndonjë kafe apo drekë pune edhe pse pranoi se një të tillë e kishte pasur me Meidanin dy ditë më parë.

“Po, kam pasur një drekë me profesor Mejdanin dje. Z. Kokëdhima ka qëlluar rastësisht. Z Kokëdhima e ka shtëpinë ngjitur me hotelin dhe rri vazhdimisht këtu. Ka ndenjur një pjesë të kohës me ne dhe pastaj ka vazhduar. Ndërsa ne kemi vazhduar drekën tonë…”, – tha ai.

Meta tha se dreka me Meidanin ka qënë e planifikuar prej kohësh.

“Ajo ka qenë një drekë e planifikuar prej kohësh dhe kemi pasur shkëmbime shumë miqësore, kështu që nuk e kuptoj pse duhet politizuar qoftë një drekë, qoftë një kafe, për më tepër që ua thashë arsyen kryesore pse unë vij vazhdimisht te Hotel Grandi”.

I pyetur nga media, Meta sqaroi gjithashtu se çështja e koalicionit nuk duhet ngatërruar me reformën në drejtësi.

“…Koalicioni ka programin e tij. Ka detyrimet reciproke dhe vazhdon punën e tij. Kështu që nuk besoj se ka ndonjë arsye për t’i trazuar këto dy çështje të ndryshme…”, – shtoi ai.

Sipas tij, koalicioni duhet të vazhdojë të bëjë maksimumin, të përmbushë detyrimet e tij, programore, qeverisëse dhe morale ndaj qytetarëve shqiptarë.

Meta mohoi mundësine e  krijimit të një qeverie teknike, një ide që pak kohë më parë e hodhi ai vetë në kushtet e mos arritjes së konsensusit për reformën në drejtësi.

Sot Meta mundësinë e krijimit të një qeverie teknike e cilëson pyetje pa vend.

“Sepse nuk ekziston një opsion i tillë. Mbase ka një keqkuptim për propozimin tim në një situatë të ndryshme disa ditë para 21 korrikut, ai ishte thjesht me qëllimin për të bërë çdo gjë, për të miratuar reformën…”, – tha ai.

I pyetur nëse do të ketë ndryshim të qeverisë deri në fund të këtij mandati, Meta u përgjigj: “Unë kam folur për një qeveri teknike që të mund të garantonte klimën e besimit për të miratuar një reformë, ku shikoja që një nga shqetësimet e opozitës ishte se mos qeveria do të përdorte pushtetin e saj ekzekutiv për të ndikuar te reforma në drejtësi. Kjo është një situatë e kapërcyer, reforma u realizua me konsensus. Pretendimet e opozitës në përgjithësi për rekomandimin 88 u dakordësuan. Qeveria teknike për të cilën flet z. Basha është diçka tjetër, ndërsa ajo që mund t’u them është që angazhimi ynë për zgjedhje të lira dhe të ndershme do të jetë maksimal, në mënyrë që të gjithë qytetarët të jenë të qetë dhe sigurt se vota e tyre do të jetë e barabartë dhe do të jetë njësoj e rëndësishme…”, – tha ai.

Në këto kushte, Meta kërkoi bashkëpunim për një tjetër reformë të rëndësishme, atë zgjedhore.

Basha kërkon qeveri teknike: Mirëpres çdo forcë politike 

Beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk pret.

Për pasojë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka kërkuar qeveri teknike.

“…Kërkoj bashkëpunimin e çdo force politike, të LSI-së, të PS-së, të cilët nuk duhet të nisen nga premisa e frikës, e tmerrit nga vota e lirë, por duhet të nisen nga përgjegjësia për t’i dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndaj mirëpres kontributin e çdo force politike në këtë drejtim, siç do të kisha mirëpritur kontributin e çdo force politike për të arritur konsensusin e 22 Korrikut. Kam përshëndetur LSI-në dhe në veçanti kryetarin e saj, njëherësh kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, për shërbimin e jashtëzakonshëm që i bëri vendit me insistimin për kalimin e reformës me konsensus. Po të njëjtën gjë do të kisha bërë për Edi Ramën nëse ai do të kishte mbajtur të njëjtin qëndrim. Por faktet, provat, rrethanat siç tashmë janë në syrin e çdokujt, vërtetuan të kundërtën, që ai u investua me mish e me shpirt kundër konsensusit, duke rrezikuar edhe reformën në drejtësi vetëm e vetëm për hir të manovrave dhe lojërave të tij politike, të cilat fatmirësisht përfunduan aty ku duhet të përfundonin, në koshin e plehrave…”, – tha dje Basha përmes një bashkëbisedimi me gazetarët.

Sipas tij, krijimi i një qeverie teknike nuk lidhet me emra konkretë, por me parimet.

“Mungesa e vullnetit për të ecur përpara me platformën e diskutuar në komisionin e reformës zgjedhore që në Maj, tregon qartë që kjo qeveri që dhunoi zgjedhjet e Korçës dhe pastaj amnistoi me ligj dhunuesit, dhe pastaj iu vërsul në mënyrë të papreçedentë zgjedhjeve lokale, imagjinoni se çfarë përgatitet të bëjë me zgjedhjet e përgjithshme. Kjo qeveri është e provuar dy herë si armike e votës së lirë. Do të ishte një faj i madh për opozitën dhe për qytetarët, të cilët u shërbejmë pavarësisht se janë apo jo votuesit tanë, t’i besonim për herë të tretë. Ma hodhe një herë turp për ty, ma hodhe dy herë, turp për ne. Pra, nuk ka asnjë shans që qeveria e Edi Ramës dhe bazhibozukëve që shkatërruan zgjedhjet lokale 2015, siç e konstatoi raporti i ODHIR-it me frazën famëkeqe; qytetarëve shqiptarë iu mohua e drejta të votojnë të lirë nga frika e ndërshkimeve apo pasojave të papara që nga zgjedhjet e kontestaura të 2001, t’i besojmë tashmë zgjedhjet parlamentare në kushtet e falimentimit të plotë të shtetit, që ata morën në dorë…”, – tha ai.

Për pasojë, qeveria teknike, sipas Bashës, është kusht i patejkalueshëm për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Ftesa ime është që kjo qeveri teknike të bëhet me kontributin e të gjitha forcave politike dhe mbi bazën e një platforme europiane siç është platforma që kemi dorëzuar ne. Sigurisht jemi të hapur për kontributin e të gjitha palëve parlamentare dhe jo parlamentare, por qeveria teknike është një kusht i patejkalueshëm…”, – tha ai.

Sipas tij, qeveria teknike do të ishte zgjidhja më e preferuar edhe për reformën zgjedhore.

“Në çdo rast reforma zgjedhore ecën, për të cilën deri tani nuk ka asnjë sinjal pozitiv. Qeveria teknike është e domosdoshme për zbatimin e saj”, – shtoi ai.

Por si arrihet tek qeveria teknike?

“Qeveria teknike është një proçes politik. Proçesi politik ka dy rrugë. Ka një rrugë bashkëpunimi politik mes palëve, realizmi, që në fakt kjo qeveri e ka pasur me tepri. Edi Rama është super realist në gjithçka që thotë dhe bën, po bëj pak groteskun, por na lejohet ndoshta tani në Gusht, por unë nuk po e mbyll këtë shteg. Po kërkoj kontributin e çdo force politike për zgjedhje të lira dhe të ndershme që përfshin qeverinë teknike. Dhe këtu opozita nuk paragjykon në këtë fazë asnjë palë politike. Por nëse kjo qeverisje, siç pres jo me pa të drejtë, nuk reflekton mbi këto dy kushte themelore; platformën zgjedhore dhe qeverisjen teknike, rruga tjetër është rruga e detyrimit me presion popullor. Këto dy rrugë ka për qeveri teknike…”, – tha ai.

Basha theksoi gjithashtu se, “Partia Demokratike ka marrë raportime serioze për mundësinë e aktivitetit terrorist të personave me rrezikshmëri të lartë në zona të caktuara të kultivimit të drogës”.

Bregu: Ok qeveri teknike, po si? PS-LSI ka 84 vota 

Deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu ngre disa pikëpyetje lidhur me kërkesën zyrtare të Bashës për krijimin e një qeverie teknike.

“Shumë dakord që të ketë qeveri teknike deri në zgjedhje! Kush nuk do ta donte po të ishte në opozitë dhe përballë të kishte alternativën e manipulimit të sigurt të zgjedhjeve të ardhshme me financime hashashi, tenderash, korrupsioni dhe jo vetëm! Dhe fatkeqësisht ia dalin me këtë se njerëzve u ka shkuar ku s’mban më! Po si mund të arrijmë tek qeveria teknike kur qeveria joteknike ka mbi 3/5-at e parlamentit që janë paja e çiftit të palumtur??? Kush beson se partnerët e çiftit të palumtur e duan këtë?! Se këta të dy çfarë premtojnë natën e prishin ditën. E kanë ndarë mendjen të ndahen këta çifti i palumtur, apo do t’i ndajmë ne në opozitë?… E kam një dyshim të fortë se mos sa më shumë përpiqemi t’i ndajmë ne këta, aq më shumë i bindim se bashkë janë më mirë!!! Halli i tyre kjo marrëdhënie, jo i demokratëve…”, – shkruan Bregu në faqen e saj në Facebook.

Deputetja demokrate shtron gjithashtu një tjetër çështje thelbësore për PD-në; reforma zgjedhore.

“Çfarë do të ndodhë me reformën zgjedhore?! Asnjëra nga dy partitë qeverisëse nuk ka çuar ende asnjë propozim në komisionin e reformës zgjedhore megjithëse i yni ka tre muaj që është depozituar. Atëherë? Nuk bëhet reforma zgjedhore? Domethënë mund të shkojmë në zgjedhje me marrëveshje partiake pa reformë zgjedhore???…”, – shkruan ajo.

Rama: Qeveri teknike? Kemi kontratë katërvjeçare me shqiptarët

Reagon Basha: “I kujtoj se mandati është kontratë para se të jetë afat. Mandati i tij ka mbaruar me kohë në malet dhe fushat e mbushura me drogë si kurrë ndonjëherë”

Pas kërkesës së Bashës për qeveri teknike, kryeministri Edi Rama shkroi në faqen e tij në Facebook se kushtet kreu i PD-së mund t’i vendosë vetëm brenda selisë së partisë.

“Lulëzim Basha kërkon qeveri teknike dhe thotë e ka kusht!… Dikush duhet t’ia mësojë se kushte mund të vendosë vetëm brenda SHQUP-it dhe ta këshillojë që edhe aty me pak kujdes, sepse jo të gjithë janë gati t’ia pranojnë çdo lloj kushti, – siç tregoi proçesi i reformës në drejtësi. Qeveria ka një mandat për të qeverisur Shqipërinë dhe kontrata jonë me shqiptarët është katërvjeçare. Në asnjë pikë të kësaj kontrate nuk figuron ndonjë detyrim i qeverisë, për t’i bërë babysitting Lulëzimit. Duhet të rritet vetë dhe të mësojë të udhëheqë pa babysiter! Lulëzimi (Basha) më kujton një frazë të bukur të Arrigo Sacchit: Nuk ka më keq për fëmijën se një baba harbut, që e gënjen mendja se i biri është Francesco Totti i ardhshëm!”, – shkruan Rama.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Lulzim Bashës.

“Nuk i del që nuk i del zija e konsensusit. Nuk dëgjon, nuk sheh, nuk lexon, e ka humbur fare. I kujtoj se mandati është kontratë para se të jetë afat. Mandati i tij ka mbaruar me kohë në malet dhe fushat e mbushura me drogë si kurrë ndonjëherë, me vjedhjet kriminale dhe ç’njerëzore, me koncesionet dhe tenderat korruptivë, me varfërinë dhe papunësinë masive kur kishte premtuar 300 mijë vende pune, me investime zero, me rritje rrogash e pensionesh zero, me taksat e larta, me krimin në pushtet dhe pushtetin e bërë njësh me krimin, me pasigurinë e frikshme e të tjera rekorde të zeza që shqiptarët i vuajnë në kurriz…”, thuhet në deklaratën e Bashës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat