Basha: Ligjet e reformës në drejtësi, vetëm me konsensus

Shqipëria

Basha: Ligjet e reformës në drejtësi, vetëm me konsensus

Më: 28 korrik 2016 Në ora: 12:08
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se ekspertët e opozitës janë në punë çdo orë të ditës dhe po shqyrtojnë edhe ligjin e vettingut që ka mbërritur afër mesnatës, dy ditë më parë. “I gjithë procesi ka tashmë një lider, të konfirmuar, të pakontestuar, të gjithëpushtetshëm. Ky lider nuk është as Edi Rama, as Lulzim Basha, e aq më pak Fatmir Xhafaj. Por është konsensusi”, tha Basha, nëpërmjet një deklarate në rrjetet sociale. Sipas tij, konsensusi është rruga ku do të kalojnë ligjet që shoqërojnë ndryshimet kushtetuese të miratuara javën e shkuar për reformën në drejtësi.

“Opozita s’ka asnjë minutë kohë për të harxhuar me debate shterpë e as t’i përgjigjet llogoreve të reja që gërmon Edi Rama. Punë dhe rezultate, ky është angazhimi ynë”, nënvizoi kreu demokrat. Sipas tij, Rama i fryn një zjarri të ri, “për të ndezur një hasmëri të re politike, me shpresën se kjo do të largojë vëmendjen e njerëzve drejt një ringu, ku ne refuzojmë të marrim pjesë”.

“Tashmë për ne ka një betejë. Beteja për zgjedhjet e lira e të ndershme. Beteja për t’i dhënë mundësinë vendit të çlirohet nga sundimi kriminal e i korruptuar që i ka zënë frymën qytetarëve. Betejë që do ta luftojmë e do ta fitojmë me dhe për çdo shqiptar”, tha Lulzim Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat