Kryeziu e Hajdari, para sfidës së vështirë evropiane

Atletika

Kryeziu e Hajdari, para sfidës së vështirë evropiane

Nga: Kemajl Goca Më: 6 korrik 2016 Në ora: 11:24
Vijona Kryeziu

Vijona Kryeziu dhe Musa Hajdari synojnë paraqitje sa më të mirë në Kampionatin Evropian të atletikës, që fillon sot në Amsterdam të Holandës.  Kryeziu dhe Hajdari premtojnë se do të përfaqësojnë sa më mirë shtetin e Kosovës.  Atletja Kryeziu shprehet se është e përgatitur maksimalisht dhe ambiciet e saja janë që t’i sfidojë konkurrentët në disiplinën 400 metra. Ajo thotë se është garë shumë e fortë, por do të japë atomin e fundit për të arritur rezultat sa më të mirë në këtë ngjarje të madhe evropiane. “Jemi munduar të përgatitemi sa më mirë që të bëjmë një paraqitje sa më të mirë. Edhe pse ndoshta do të jetë pakës vështirë për mua, sepse është hera e parë që unë marr pjesë në një garë të këtij lloji po ashtu edhe konkurrenca është jashtëzakonisht e fortë”, thotë Kryeziu për gazetën kombëtare “Bota sot”. Sa keni informacione për konkurrencën, sa do të jetë vështirë? “Në bazë të informacioneve, konkurrenca është jashtëzakonisht e fortë, në garë të cilën do të vrapoj unë të gjitha janë seniore dhe e vetmja që jam juniore”, theksoi atletja e kombëtares së Kosovës, njëherësh është e KA Roganës.  Kryeziu beson në cilësitë e saja ani se nuk e ka përvojën me disa nga atletet e shteteve të ndryshme të Evropës. “Ajo që mund të më veçoj mua është pikërisht mosha ime, sepse jam shumë e re, ku shumë atlete në një moshë të tillë nuk mund të marrin pjesë në një garë të këtij lloji”, ka thënë Kryeziu.  18-vjeçarja është e matur në ambiciet e saja, sepse e ka parasysh se sa e fortë do të jetë gara në disiplinën e saj pothuajse një konkurrencë e tmerrshme. “Synimi im kryesor është përmirësimi i rezultatit tim dhe të bëj një paraqitje sa më të mirë”, theksoi ajo. Atmosfera në Amsterdam është e mirë dhe atletët tanë ndihen të relaksuar e të gatshëm për betejat.   “Nuk është edhe vështirë të ambientohesh në një vend ku janë sportistët elitar, përkundrazi ndihem mjaft mirë”, thotë Kryeziu. Musa Hajdari do të garojë në shtigjet e mesme përkatësisht në disiplinën 800 metra. Ai pretendon kohë më të mirë, por edhe t’i sfidojë atletët tjerë. Ai beson e shpreson se do të lë gjurmë të mirë në evropian. Ndërkaq, kryetari i Federatës Atletike të Kosovës, Halil Sylejmani, e vlerëson si shumë të rëndësishëm pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian, sepse është hera e parë për atletët tanë dhe pret një përfaqësim dinjitoz të shtetit tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat