Reforma e ujit nis nga Prrenjasi, Haxhinasto: Synohet eleminimi i humbjeve në rrjet

Shqipëria

Reforma e ujit nis nga Prrenjasi, Haxhinasto: Synohet eleminimi i humbjeve në rrjet

Më: 2 maj 2016 Në ora: 11:44

Pas prezantimi të reformës së ujit, Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto ndoqi të hënën në terren, fillimin e menjëhershëm të punës për vënien në zbatim të reformës.

Haxhinasto u ndal në ujësjellësin e Qafë Thanës në bashkinë e Prrenjasit, ku ka filluar puna për prerjen e lidhjeve të paligjshme. Ministri Haxhinasto tha se një nga objektivat kryesore të reformës së ujit, është eliminimi i humbjeve në rrjetet e ujësjellësave, që shkon në 67 %.

“Menjëherë është bërë ndërhyrja në rrjet për të prerë lidhjet e paligjshme. Uji duhet të trajtohet si pasuri dhe duhet të kapitalizohet në të ardhura për ujësjellësin e Prrenjasit, në mënyrë që të krijohet mundësia për përmirësimin e furnizimit me ujë për të gjithë qytetarët e kësaj bashkie”, u shpreh ministri.

Sipas tij, një nga objektivat e kësaj reforme është eliminimi i humbjeve në rrjet. “Në ujësjellësin e Qafë Thanës priten lidhjet e paligjshme që merrnin 290 litra/sek ujë të papaguar nga 500 litra/sek që ka ujësjellësi, e që shkonin për lavazh makinash, në vend që të shkonin në rubinetat e qytetarëve”, shtoi Haxhinasto.

Në këtë inspektim Ministri Haxhinasto, ishte i shoqëruar edhe nga kryetarja e Bashkisë Prrenjas, Miranda Rira. Pas Prrenjasit aksioni kundër lidhjeve të paligjshme do të shtrihet edhe në 60 bashkitë e tjera të vendit. Reforma e ujit synon kalimin e kompetencave të plota të menaxhimit të ujësjellësave te Bashkitë, por edhe aksione të shumta për prerjen e lidhjeve të paligjshme të ujit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat