Zgjedhja e delegatëve për Kongresin e PS/34 mijë anëtarë zgjedhin 336 delegatët e 4 qarqeve

Shqipëria

Zgjedhja e delegatëve për Kongresin e PS/34 mijë anëtarë zgjedhin 336 delegatët e 4 qarqeve

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 09:55

Rreth 34 mijë anëtarë të Partisë Socialiste në 4 qarqe të vendit do të zgjedhin sot 336 delegatët e Kongresit të kësaj partie që do të mbahet më 19 Mars. Përmes parimit “një anëtar, një votë” anëtarët e PS në Qarqet Berat, Fier, Elbasan dhe Korcë do të zgjedhin delegatët, ku sipas vendimit të miratuar nga Asamblea Kombëtare e PS-së për cdo 100 anëtar do të ketë 1 delegat në Kongres.

“Sipas Statutit të Partisë, Delegatët e Kongresit zgjidhen sipas parimit “Një anëtar – një votë”. Në bazë të vendimit të Asamblesë Kombëtare të Partisë, të muajit korrik të vitit të kaluar, është përcaktuar që të zgjidhet një delegat për 100 anëtarë partie. Delegatë të Kongresit do të zgjidhen edhe nga strukturat e Partisë Socialiste në emigracion”.

Në zgjedhjet e ditës së sotme konkurojnë afro 1000 kandidatë për delegatë të Kongresit të propozuar nga anëtarësia e partisë e 23 bashkive në përbërje të të cilave janë 151 njësi administrative. Sipas kritereve të përcaktuara 50 përqind e kandidaturave janë shoqe dhe një e treta e tyre janë të moshës 18 – 25 vjeç”, sqaroi Sekretari Organizativ i PS-së Blendi Klosi.

Qendrat e Votimit janë të ngritura në secilën nga 151 njësitë administrative të qarqeve të përfshira në votimin e sotëm për zgjedhjen e delegatëve.

PS sipas qarqeve (shifra te deklaruara nga kjo parti
Qarku Berat 5 mijë anëtarë do të zgjedhin 49 delegatë
Qarku Elbasan 8 mijë e 800 anëtarë do të zgjedhin 87 delegatë
Qarku Fier 12 mijë anëtarë do të zgjedhin 118 delegatë
Qarku Korçë 8300 anëtarë do të zgjedhin 82 delegatë

Sipas PS deri më 31 dhjetor anëtarësia e partisë në këto qarqe është rritur konkretisht: Berati e Elbasani kanë një anëtarësi 12 përqind më të madhe nga fillimi i procesit të zgjedhjeve, Korça 19 përqind dhe Fieri 32 përqind.
“Një numër i madh anëtarësimesh janë bërë gjatë muajve janar e shkurt të këtij viti,” tha Klosi.

Sot dhe në dy fundjavat e tjera të muajit shkurt, anëtarësia e partisë do të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së anëtarëve të organit më të lartë të partisë, të Kongresit.

Kandidatët e propozuar janë me arsim të lartë dhe mjaft prej tyre edhe me kualifikime pasuniversitare etj.

Sekretari Organizativ i PS mbylli deklaratën e tij duke thënë se po punohet për arritjen e objektivit të përcaktuar që në 25 vjetorin e partisë anëtarësia e PS të jetë 150 mijë anëtarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat