Pasuritë e paluajtshme, Manjani: Ligji ndalon shitjet disa herë të apartamenteve

Shqipëria

Pasuritë e paluajtshme, Manjani: Ligji ndalon shitjet disa herë të apartamenteve

Më: 11 shkurt 2016 Në ora: 21:01

Ligji i ri i Ministrisë së Drejtësisë për pasuritë e paluajtshme ka për qëllim të zgjidhë tre emergjenca: Nuk lejon shitjen dy herë të apartamenteve, forcon rolin e bankës në sekuestrimin e karabinasë ku ndërtuesi nuk shlyen kredinë dhe ruan të vlefshme kontratat e sipërmarrjes të lidhur deri në këtë fazë pasi banka tjetërson vetëm ato apartamente që nuk janë shitur.

Ylli Manjani: “Me ndërhyrjen e komisionit të ligjeve, është bërë një saktësim i domosdoshëm për të siguruar, që kontratat e lidhura deri në çastin e transferimit të karabinasë në bankë. Të jetë e sigurtë që transferohet edhe barra. Pra ato kontrata që janë lidhur, do jënë të vlefshme edhe në rastin kur ndryshon banka.”

Deputetët demokratë thanë se ligji mohon të drejtat e pronarëve dhe e përkeqëson edhe më tej situatën në këtë sektor.

Jozefina Topalli: “Jo vetëm që ky ligj është jokushtetues, jo vetëm që ky ligj i bie ndesh të gjitha kartave dhe traktateve që ne kemi ratifikuar këtu në parlament. Kjo ju takon ju si kryetar i parlamentit që në momentin që sillen ligje të tilla, të shrytëzoni të drejtën që ju sjell ligji për parlamentin, për ta kthyer mbrapsht në qeveri një ligj të tillë.”

Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani theksoi nevojën e një harte unike dixhitale për shkak se situata paraqitet problematike nga mbivendsoja e pronave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat