Gjosha: Duhen më shumë punonjës të kualifikuar

Shqipëria

Gjosha: Duhen më shumë punonjës të kualifikuar

Më: 5 shkurt 2016 Në ora: 15:06

Ditën e sotme, ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, mori pjesë në ceremoninë e dhënies së certifikatave për punonjësit e bashkive të Qarkut të Beratit, të cilët u bënë pjesë e trajnimit disa ditor, me fokus “Menaxhimin e Fondeve të BE-së, për njësitë e qeverisjes vendore”.

“Trajnime të kësaj natyre janë vlerë e shtuar në atë çka ne synojmë dhe kemi punuar shumë: Krijimin e një administrate publike të kualifikuar dhe të aftë. Sigurisht që kjo, është domosdoshmëri për vendin, dhe një prej kushteve që na janë lënë nga partnerët tanë europianë. Me punonjës të kualifikuar, ne mundemi të avancojmë me procesin”, u shpreh Gjosha.

Sipas ministres një tjetër arsye që dëshmon për rëndësinë e këtyre trajnimeve dhe nevojën pse duhet të shtrihen në të gjithë vendin, është se me reformën territoriale, bashkitë kanë marrë një rol të ri, ku dhe mundësitë për të përthithur më shumë fonde nga programet e Bashkimit Europian, janë më të mëdha.

“Në të kaluarën situata ka qenë ndryshe. Kjo sepse bashkitë kanë pasur më pak përvojë, më pak burime njerëzore të afta për të zhvilluar, projekte në mënyrë që të përthitheshin sa më shumë fonde nga programet e Bashkimit Europian. Kostoja ka qenë direkte te qytetarët, gjithë komuniteti, i cili ka humbur mundësi që nëpërmjet këtyre fondeve të ndërhyhej për të përmirësuar kushtet e jetesës, në shumë fusha, në shumë sektorë”, tha ministrja.

Duke theksuar se kjo situatë i përket të shkuarës, ministrja shprehu mbështetjen për trajnimin e stafit në njësitë vendore në të gjithë vendin. “Sepse vetëm duke ngritur kapacitetet, duke pasur burime njerëzore të kualifikuara, do të mundemi të japim kontributin tonë më të mirë për të çuar vendin përpara me procesin e integrimit”, tha Gjosha.

Prej 5 vitesh Shqipëria ka një ekip ekspertësh të certifikuar nga Komisioni Europian, të cilët kanë zhvilluar trajnime në nivel qendror dhe tashmë me reformën e re do të zhvillojnë këto trajnime edhe në nivel lokal.

“Jam e bindur se stafet e kualifikuara në bashki do të jenë ndihmë shumë e madhe edhe për njësitë e integrimit. Ne kemi ristrukturuar këto njësi në nivel qendror dhe dëshirojmë që njësitë e integrimit të ngrihen edhe në nivel lokal. Pra ne dëshirojmë që struktura të veçanta që mbulojnë çështjet e integrimit, të jenë pjesë e strukturës në të gjitha bashkitë”, tha Gjosha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat