Udhëzimi i Beqajt, 90 punonjës të spitalit të Shkodrës hidhen në rrugë

Shqipëria

Udhëzimi i Beqajt, 90 punonjës të spitalit të Shkodrës hidhen në rrugë

Nga: Gjergj Koja Më: 5 shkurt 2016 Në ora: 10:51

Vijojnë shkurtimet në personelin e spitaleve. Së fundmi ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka firmosur urdhërin për shkurtimin e 90 punonjësve nga spitali rajonal i Shkodrës. Urdhëri mban datën 15 Janar 2016, në bazë të të cilit drejtuesit e spitalit të Shkodrës duhet të bëjnë rankimin e brendshëm të punonjësve dhe më pas nga 795 të punësuar në spital, me strukturën e re kanë vend vetëm 705 persona.

Pjesa më e prekur mësohet se do të jenë sanitaret, që në total janë 169 të tilla apo 25 % e stafit.

Me strukturën e re parashikohet që të largohen rreth 65 prej tyre dhe ky shërbim do të kryhet sipas ligjit nga pjesa e mbetur e sanitareve, bazuar në metrat/katror të sipërfaqes së spitalit dhe numrit të pacientëve që varion nga 110 – 140.

Gjithashtu nga lista e të larguarve do të jenë rrobaqepsja e spitalit dhe një pjesë e administratës që është cilësuar e tejfryrë.

Ndërkohë disa infermierë pritet vetëm të lëvizin nga pavionet aktuale, në ato që ka më shumë nevoja, apo mungesë stafi.

Udhëzimi i ministrit të Shëndetësisë përcakton si kritere të mbajtjes në punë të stafit: arsimimin, rezultatet e testimit për personelin infermieror, përformancën në punë dhe vlerësimet e marra nga punëdhënësi, sjellja në orarin e punës dhe disiplina, punonjësit pa masa administrative etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat