Taksa e pronës, tani do e paguajnë edhe qirramarësit

Shqipëria

Taksa e pronës, tani do e paguajnë edhe qirramarësit

Më: 30 nëntor 2015 Në ora: 18:08

Jo vetëm ata që kanë në pronësi troje, por edhe ata që i marrin me qira këto sipërfaqe do të paguajnë taksën. Kjo është parashikuar në paketën fiskale të vitit 2016, që po diskutohet në Kuvend, bashkë me buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm. Drafti i hartuar nga Ministria e Financave përcakton se subjekt i pagesës së taksës së pasurisë nuk duhet të jetë vetëm pronari ligjor, por edhe përdoruesi i pasurisë së paluajtshme.

Në draft parashikohet taksa e pasurisë mbi truallin në masën 5600 lekë/ha, 4200 lekë/ha dhe 1400 lekë/ha, në varësi të zonës ku ndodhet sipërfaqja e pronës. Arsyeja sipas Ministrisë së Financave për vendosjen e kësaj takse është se trualli konsiderohet pasuri e paluajshme njësoj si ndërtesa dhe toka bujqësore. Ndërsa të ardhurat për pushtetin vendor, po sipas këtij drafti, do të jenë rreth 180 milionë lekë, kjo bazuar në 50 mijë hektarë truall. Por nga pushteti vendor taksa e pasurisë në vitet e mëparshme, përfshi këtu edhe 2015 nuk është mbledhur, kjo edhe për faktin se nuk është përvetësuar nga “kultura fiskale” e pjesës më të madhe të qytetarëve shqiptarë.

Referuar të dhënave zyrtare të publikuara nga Ministria e Financave, treguesit e të ardhurave të taksës mbi pasurinë, për vitin 10 muajt e këtij viti rezultojnë të jenë në vlerën e 3.4 miliardë lekëve, shifër modeste kjo duke patur parasysh numrin e ndërtesave në vendin tonë, ndërsa për të njëjtën periudhë të një viti më parë ishte 3.1 miliardë lekë, raporton Scan.

Ndërkohë, për të rritur nivelin e të ardhurave në buxhetin e shtetit nga taksa e ndërtesës është hedhur ideja që në faturën e energjisë apo ujit të konsumatorëve, mund t’u bashkangjiten si detyrim për t’u paguar edhe taksa për banesat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat