Ndryshimet Klimatike/Nishani: Shqipëria e angazhuar për të ardhmen e përbashkët të Planetit tonë

Shqipëria

Ndryshimet Klimatike/Nishani: Shqipëria e angazhuar për të ardhmen e përbashkët të Planetit tonë

Nga: Gjergj Koja Më: 30 nëntor 2015 Në ora: 17:14

Presidenti Bujar Nishani, me ftesë të homologut francez François Hollande dhe të ministrit të Jashtëm francez e njëkohësisht President i Konferencës së Palëve për Ndryshimet Klimatike COP21, Laurent Fabius, mori pjesë në Takimin e Udhëheqësve Botërorë për Ndryshimet Klimatike, organizuar në Paris, ku morën pjesë rreth160 Kryetarë Shtetesh dhe Qeverish.

Në mesazhin e tij drejtuar këtij Samiti, Nishani shprehu angazhimin e Shqipërisë për të ardhmen e përbashkët të planetit tonë dhe marrjen e përgjegjësive kombëtare përmes vënies në efiçencë të burimeve kombëtare.

Kreu i Shtetit theksoi gjithashtu se Shqipëria mbështet arritjen e një Marrëveshje universale, duke bërë përpjekjet maksimale për realizimin e objektivave të përcaktuara në Kontributin Kombëtar të Synuar (INDC).

Presidenti Nishani theksoi se institucionet shqiptare po punojnë për përgatitjen e një strategjie kombëtare për adresimin e ndryshimeve klimatike në linjë të plotë me politikat e Bashkimin Evropian.

“Shqipëria është në një pozicion unik sa i përket emetimeve të ulëta të gazeve me efekt serrë, pasi sektori i prodhimit të energjisë elektrike është plotësisht i dekarbonizuar dhe afro 1/3 e prodhimit parësor të energjisë bazohet në energjitë e rinovueshme. Aktualisht në Shqipëri, emetimi i gazeve me efekt serrë është 1.4 ton për frymë.

Por, pavarësisht këtyre avantazheve, autoritetet shqiptare, nëpërmjet vënies në efiçencë të burimeve kombëtare, si dhe me ndihmën e donatorëve të ndryshëm, miratuan dhe dorëzuan INDC-në, brenda afateve të përcaktuara nga Konventa. Kontributi Kombëtar, do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në shqyrtimin e zhvillimit të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë dhe do të përcaktojë dekarbonizimin si një rrugë të re zhvillimi”, tha Nishani.

Në vijim ai shtoi se në interesin më të mirë të arritjes së një Marrëveshje globale, Shqipëria si Vend Kandidat në Bashkimin Evropian, do të bëjë përpjekjet maksimale për realizimin e objektivave të përcaktuar në INDC për një Zhvillim të Qëndrueshëm.

Gjatë pjesëmarrjes në këtë Takim shumë të rëndësishëm, Presidenti Nishani u takua dhe bisedoi me Krerë të Ndryshëm Shtetesh e Qeverish.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat