Familja Mbretërore ju shpreh urimet më të përzemërta me rastin e 103-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë!

Shqipëria

Familja Mbretërore ju shpreh urimet më të përzemërta me rastin e 103-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë!

Më: 28 nëntor 2015 Në ora: 15:46

Shqiptarë, kudo që ndodheni! Motra dhe vëllezër!

Në Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë rikujtojmë me nderim të madh Etërit e Kombit, përpjekjet e të gjithë atyre që kontribuan për ndërtimin e identitetit dhe shtetit shqiptar, prej të cilëve trashëguam vullnetin për t’i shërbyer Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Kjo ditë thërret po ashtu në mendjen tonë, me më shumë forcë se ditët e tjera, nevojën e bashkimit të të gjithë shqiptarëve për të punuar me përkushtim e ndershmëri në dobi të interesave të popullit dhe kombit.

Motra dhe vëllezër!

Duke uruar njëri-tjetrin për festën tonë më të madhe dhe duke iu gëzuar arritjeve të përbashkëta, me dëshirë të madhe në zemër, duhet të mendojmë si të përmirësohet më tej jeta e shqiptarëve dhe të lartësohet edhe më shumë emri i kombit.

Festa jonë e madhe është rast i mirë për të reflektuar edhe për vështirësitë e jetës së shqiptarëve të thjeshtë, edhe për zbehjen e shpresës për të ardhmen, e në veçanti për largimin tronditës të shqiptarëve drejt vendeve të tjera.

Është rast i mirë për të reflektuar edhe për plagët e rënda nga të cilat vuan shoqëria shqiptare. Kriminaliteti, korrupsioni dhe trafiqet, janë fenomene të cilat shqiptaret nuk i meritojnë, ndaj duhet t’i refuzojmë me forcë dhe t’i luftojmë bashkërisht.

Po ashtu, nuk i meritojmë dhe nuk duhet të pranojme krizat politike në trojet tona, sepse ato përveç se pengojnë reformat e nevojshme, dëmtojnë imazhin ndërkombëtar të vendeve tona dhe jetesën e qytetarëve. Mbi të gjitha thellojnë krizën e besimit ndaj politikanëve, pushtetarëve dhe institucioneve, rrezikojnë proceset demokratike dhe ardhmërinë tonë. Ato dëmtojnë aspiratat europiane të shqiptarëve, raportet tona me partnerët ndërkombëtarë, stabilitetin dhe balancat me fqinjët dhe vendet e rajonit.

Shqiptarë, kudo që ndodheni! Motra dhe vëllezër!

Dëshiroj t’i bëj thirrje dhe të inkurajoj klasën politike të ndërmarrë hapat e nevojshëm për zgjidhjen, pasi të ketë nxjerrë mësimet e duhura: për humbjen e rastit për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO; për çështjen e ashtuquajtur “Zajednica”; për gjendjen e vështirë të shqiptarëve në Kosovën Lindore; për mosvënien në zbatim të përcaktimeve të Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni; dhe, po ashtu, për pritjen pa fund të shqiptarëve të Çamërisë për rimarrjen e shtëpive dhe pronave të etërve dhe gjyshërve.

Megjithatë duhet të jemi optimistë, sepse shqiptarët kanë fuqi dhe rezerva të pafundme për t’i përballuar me sukses të gjitha sfidat, ashtu siç kanë dhënë prova në të gjitha etapat e historisë sonë, madje edhe në kohërat shumë më të vështira të diktaturës komuniste.

Këto janë probleme me të cilat po përballemi, sa për shkak të gabimeve tona të së tashmes, aq edhe prej padrejtësive të së kaluarës ndaj kombit shqiptar.

E ndërsa kemi përqafuar vlerat europiane të demokracisë dhe po ecim në rrugën e integrimit, ne shqiptarët kemi shansin historik t’i dhurojmë Europës së kërcënuar dhe sulmuar nga terrorizmi, shembullin më të shkëlqyer në botë të bashkëjetesës fetare.

Duke u përulur me nderim para secilës prej trashëgimive e traditave fetare të shqiptarëve, dhe harmonisë fetare si kontribut dhe trashëgimi e përbashkët e të gjitha feve, shqiptarët duhet të promovojnë dhe përforcojnë këtë vlerë të jashtëzakonshme.
Paqja dhe prosperiteti kalojnë edhe nëpërmjet njohjes, respektit dhe dashurisë ndaj të tjerëve, prandaj nuk duhet të pranojmë ndërhyrje të jashtme që na dëmtojnë.

Motra dhe vëllezër!

Familja Mbretërore ju bën thirrje kudo që ndodheni, të bashkoni forcat dhe përpjekjet në interes të vendit dhe kombit, për të lartësuar imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Rroftë Shqipëria dhe populli shqiptar i bashkuar!

Princi Leka II

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat