Shqipëria vishet kuqezi

Shqipëria

Shqipëria vishet kuqezi

Më: 28 nëntor 2015 Në ora: 12:55

Shqipëria është veshur kuqezi në 103-vjetorin e pavarësisë, ndërsa aktivitete të shumta festive po zhvillohen në të gjitha qytetet e vendit.

Në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në prani të Kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj u organizua një ceremoni festive ku në mënyrë simbolike u ngrit flamuri kombëtar. E veshur me tollumbace kuqezi, lulishtja para bashkisë së Tiranës u shndërrua në një dekor gjigant, ndërsa lëshimi i mijëra tollumbaceve në qiell ndezi atmosferën festive.

“Ju falenderoj të gjithëve që jeni këtu. Kur jemi të gjithë bashkë ne shqiptarët çlirojmë shumë energji pozitive, ndryshe nga kur nuk jemi. Sot kujtojmë pavarësinë e vendit dhe vendi ka jetuar momente shumë të vështira, por sot po jetojmë një nga momentet më të mira. Kemi ende shumë punë për të bërë dhe këtë mund ta bëjmë duke qenë të bashkuar. Gjatë ditës së sotme do të ketë rreth 50 aktivitete në të gjithë Tiranën, pasi Tirana sot është më e madhe. Nesër është dita pa makina dhe Nata e Bardhë, e cila do të shoqërohet nga aktivitete festive”, tha Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.

Në zemër të kryeqytetit është duke u përgatitur dhe platea ku do të zhvillohet një koncert me rastin e festave.Gjithashtu, përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit mbizotërojnë ngjyrat kuqezi. Kryeqyteti ka festuar edhe me të vegjlit ditën e madhe të pavarësisë. Nxënës të shkollave fillore dhe 9-vjeçare, si dhe të kopshteve kanë marrë pjesë në aktivitete të ndryshme, ku kanë kënduar e vallëzuar këngë patriotike, si dhe janë veshur për pak çaste me ngjyrat kombëtare, duke marrë ngjarje nga korridorët e historisë e duke ri jetësuar përmes skenimeve të shkurtra në të tashmen, me ceremonitë e zhvilluara për këtë rast.


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat