Çuko: Shteti të ndihmojë KMSH të marrë nën kontroll xhamitë jashtë juridiksionit

Shqipëria

Çuko: Shteti të ndihmojë KMSH të marrë nën kontroll xhamitë jashtë juridiksionit

Më: 23 nëntor 2015 Në ora: 22:51

Shteti shqiptar duhet të ndihmojë Komunitetin Mysliman të Shqipërisë për të marrë nën kontroll xhamitë jashtë juridiksionit, ose në të kundërt nuk duhet të stepet për ti konsideruar si të jashtëligjshme dhe të vendosë për mbylljen e tyre.

Arben Çuko, deputet i Partisë Socialiste, anëtar i Komisionit të Sigurisë për Ora News u tregua i prerë në qëndrimin e tij mbi objektet e kultit që nuk pranojnë varësinë nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.

Arben Çuko:“Shteti shqiptar do të japë mbështetjen e plotë me instancat e Komunitetit Mysliman që të marrë nën kontroll ato xhami që kanë qënë deri tani jashtë kontrollit dhe të paligjshme.Në qoftë se do të ketë raste që Komuniteti Mysliman nuk do të arrijë dot të marri xhami të caktuara në kontroll atëherë shteti shqiptar nuk duhet të stepet apo të ketë ndonjë ngadalësim që të arrijë dhe t’i mbylli ato xhami dhe t’i shpallë të paligjshme.”

Çuko thotë se si pjesë e koalicionit ndërkombëtar edhe Shqipëria është në luftë me Shtetin Islamik dhe e ekspozuar përballë sulmeve terroriste por qetëson shqiptarët duke deklaruar se nuk ka asnjë vend për panik.

Arben Çuko: “Rreziku i terrorizmit është evident. Padyshim që nuk ka vend për panik por marrja e masave është e doemosdoshme qoftë edhe për faktin që Shqipëria bën pjesë në koalicionin e madh mbarëkombëtar kundër terrorizmit dhe Shtetit Islamik.”

Çuko tha se pas sulmeve të 13 nëntorit në Francë, agjensitë dhe institucionet e sigurisë kanë forcuar bashkëpunimin me njëra tjetrën dhe aleatët ndërkombëtarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat