Berisha: Basha ka përgjegjësi në humbjen e zgjedhjeve

Shqipëria

Berisha: Basha ka përgjegjësi në humbjen e zgjedhjeve

Më: 13 tetor 2015 Në ora: 23:03

Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha deklaron se opozita duhet të bëjë sa më shpejt analizën për rezultatin e zgjedhjeve lokale të 21 qershorit. I ftuar në studon e gazetares Eni Vasili, Berisha tha se kjo analizë duhet përfshijë edhe vetë strukturat e partisë për të parë se çfarë nuk funksionoi. Sipas tij zgjedhjet ishin të vjedhura dhe të manipuluara megjithatë pranoi se edhe “opozita nuk i fitoi ato”. Sipas Berishës për këtë rezultat ka përgjegjësinë e tij edhe kryetari i aktual i PD-së.

“Nuk mund të them se opozita arriti rezultatin e pritshëm, apo s’e opozita s’kishte vend të punonte më shumë dhe më me efiçencë. Po ka një gjë, nëse hyn krimi, dikton krimi, opozita nuk i fiton asnjëherë zgjedhjet, pasi krimi ka me vete amën, paranë e pistë, pushtetin që e ndihmon… Unë kam bërë një vlerësim. PD ka një rritje në këto vite, por nuk i fitoi zgjedhjet. Por nuk i fitoi as PS. Ka zbritur në 400 mijë vota, dhe kjo është një humbje shumë e hidhur” – tha Berisha.

I pyetur nëse ka përgjegjës edhe brenda PD për rezultatin ai u shpreh:

“Kjo është një faturë. Mirë apo keq është kryetari ai që e mban përgjegjësinë, por zgjedhjet nuk u bënë në një mjedis të lirë e të ndershëm. Kur te bëhet analiza shihet se cili ishte ndikimi i krimit në këto zgjedhje. Nëse dikush mendon se ishte i vogël, gabohet”.

I pyetur nga gazetarja Vasili për debatet e fundit brenda partisë ku disa kryetarë degësh kanë sulmuar deputetët, Berisha tha se kjo është e papranueshme. “Debatet janë të shëndetshme për një parti. Unë nuk shoh se kryetari ka një frymë kundër debateve të brendshme megjithatë mund të them se është e papranueshme kur kalohet në sulme të pabazuara brenda partisë” – tha ish kreu i demokratëve.

I pyetur nëse brenda “selisë blu” ka klane ku po rivalizohen “të rinjtë” me “të vjetrit”, Berisha tha se kjo është vetëm një dukje pasi sipas tij ka vlera të vjetra që po konsolidohen dhe “të vjetrit” janë fibrat e partisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat