Deputetët e LSI braktisin PS në Kuvend, Rama fut PDIU në qeveri

Shqipëria

Deputetët e LSI braktisin PS në Kuvend, Rama fut PDIU në qeveri

Më: 8 tetor 2015 Në ora: 10:01

Kryeministri Edi Rama ka firmosur emërimin e Halil Hysenit në postin e zv.ministrit të Punëve të Jashtme. Vendimi u bë publik pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave pasditen e djeshme.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave, vendosi: Z. Halil Hyseni të emërohet zëvendësministër i Punëve të Jashtme. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.”,-thuhet në vendimin e Qeverisë.

Halil Hyseni vjen nga radhët e PDIU-së. Gjatë qeverisjes së kaluar ai ka mbajtur postin e Drejtorit të Aviacionit Civil.

Me këtë vendim Rama duket se ka ‘shuar’ zërat nga PDIU për ndryshime në qeveri. Më herët, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ka kërkuar ndryshime në qeveri, ndërsa pak ditë më parë, Rama ka mohuar se do të ketë ndryshime në kabinetin e tij.

Nderkohe marrëdhëniet mes Ramës dhe Metës nuk janë në ditët e veta më të mira. Të paktën tri veprimet e djeshme të PS-së e LSI-së tregojnë se diçka po ndodh brenda koalicionit.

Dje, asnjë nga deputetët e LSI-së nuk mori pjesë në komisionet parlamentare, duke e lënë aleaten e tyre PS në vështirësi për të gjetur numrat. Por ky ishte vetëm hapi i LSI-së. Gjatë ditës, dy liderët
e maxhorancës patën si rrallëherë dy takime të njëpasnjëshme.

Po dje, gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, Kryeministri Rama u ka thënë ministrave që të mos dalin në media dhe të bëjnë deklarata politike. “Do t’ju lutesha që të mos bëjmë deklarata politike në media. Partitë le të bëjnë punën e tyre, ne si qeveri do të bëjmë punën tonë”, mësohet t’u jetë drejtuar Rama ministrave të tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat