Riformatimi i Qeverisë, kushtet e Ramës dhe Metës/ Ja ministrat që pritet të lënë postet

Shqipëria

Riformatimi i Qeverisë, kushtet e Ramës dhe Metës/ Ja ministrat që pritet të lënë postet

Nga: Gjergj Koja Më: 4 tetor 2015 Në ora: 10:54

Qeveria “Rama” pritet të riformatohet brenda pak ditësh. Ajo që ishte paralajmëruar prej disa kohësh, por që ishte mohuar kategorikisht nga Kryeministri Edi Rama, duket se do të zyrtarizohet në ditët në vijim, pas takimit 90 minutësh kokë më kokë mes Kryeministrit Edi Rama dhe Kryetarit të Kuvendit, njëkohësisht edhe Kryetar i LSI-së, Ilir Meta.

Ky i fundit pasi ka përfunduar takimin me Ramën, ka thirrur në takime të vecanta të gjithë ministrat e LSI në Qeveri, por asnjë prej tyre nuk ka pranuar të bëjë komente për mediat. Duket se në kulmin e akuzave ndaj Kryetarit të Kuvendit në lidhje me aferën e CEZ, dhe ndaj ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri në lidhje me trafikun e drogës, mazhoranca po bën një lëvizje për të ndryshuar kabinetin qeveritar, duke tërhequr vëmendjen, por edhe duke ndryshuar postet qeveritare në përfaqësimin e dy partive kryesore të koalicionit. Mësohet se i vetmi kusht që Rama ka vendosur për ndryshimet në Qeveri kundrejt aleatit të tij në qeverisje është ai që në cabinet mos përfshihen emrat që kanë mbajtur poste qeveritare në Qeverinë Berisha. Në këtë mënyrë, duket se Rama ka shmangur dy emra, Petrit Vasilin dhe Vangjel Tavon, të cilët kanë mbajtur postet e ministrit të Shëndetësisë në Qeverinë e drejtuar nga ish-Kryeministri Sali Berisha.

Pritet që në kabinetin e ri të ketë përfaqësim edhe për PDIU-në, parti e cila u përfshi në Aleancën e drejtuar nga Partia Socialiste në prag të zgjedhjeve vendore. Pritet që PDIU-së mund t’I ofrohet posti i ministrit të Zhvillimit Urban, që mbahet aktualisht nga Eglantina Gjermeni.

Burime nga mazhoranca theksojnë se një nga cështjet e diskutuara mes drejtuesve të koalicionit ka të bëjë pikërisht me ndryshimet qeveritare, kërkesë kjo e vazhdueshme nga LSI, e cila ashtu si edhe në koalicionin me demokratët, ka pasur si praktikë ndryshimin e ministrave cdo dy vjet. Burimet theksojnë se ministrat Nasip Naco dhe Edmond Haxhinasto pritet të lënë pozicionet e tyre ministrore, ndërsa ende nuk ka një vendim të prerë përsa i takon ministrave Edmond Panariti, Lefter Koka dhe Klajda Gjosha, të cilët gjithashtu përfaqësojnë LSI-në. Por mësohet se situate bëhet më e ndërlikuar për Kryeministrin Edi Rama, pasi Ilir Meta ka kërkuar ndryshimin e pozicioneve të ministrave, cka do të thotë se në Qeverinë e re, LSI ka kërkuar poste ministrore në Ministri të tjera, nga ato që ka mbajtur deri më tani.

Burimet nga mazhoranca theksojnë se LSI pretendon Ministrinë e Shendetësisë dhe atë të Financave, ndërsa është shprehur e gatshme për të lënë atë të Drejtësisë dhe të Transporteve. Ministrat aktualë të Shëndetësisë dhe Financave, përkatësisht Ilir Beqaj dhe Shkëlqim Cani, pothuajse kanë dështuar në punën e tyre, madje shpeshherë janë vënë nën akuzat dhe kritikat e mazhorancës, përvecse atyre të opozitës. Nëse Rama do të pranojë propozimet e LSI-së, atëherë atij do t’I duhet të ndryshojë disa pozicione ministrash. Kështu nga burimet mësohet se në vend të ministrit Nasip Naco do të kalojë Sajmir Tahiri, që do t’I duhet të lërë Ministrinë e Brendshme. Sipas burimeve, për postin e ministrit të Brendshëm janë disa kandidatë mes të cilëve edhe Taulant Balla dhe Niko Peleshi. Ndërkohë pritet që Meta të propozojë në postet ministrore Përparim Spahiun dhe Petrit Vargu. Spahiu mund të marrë postin e ministrit të Financave, ndërsa Vargu atë të Shëndetësisë.

Po kështu mësohet se ka një presion nga segmente brenda PS-së për të larguar nga posti i ministrit të Energjitikës Damian Gjiknurin, por duket se kjo kërkesë është kundërshtuar nga Kreu i Qeverisë. Po kështu Mimi Kodheli duket se ka të sigurtë postin e ministres së Mbrojtjes, ashtu sikundër Bleni Klosi atë të Mirëqënies Sociale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat