Vokshi: Rama-Beqaj kanë shfrytëzuar shëndetësinë për përfitime. 35 miliardë lekë në dy vite janë ndarë për klientelën

Shqipëria

Vokshi: Rama-Beqaj kanë shfrytëzuar shëndetësinë për përfitime. 35 miliardë lekë në dy vite janë ndarë për klientelën

Më: 3 tetor 2015 Në ora: 13:31

Deputetja demokrate Albana Vokshi akuzoi Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj se kanë shfrytëzuar shëndetësinë për përfitime. Vokshi tha se ata e kanë kthyer atë në kantierin më të madh të tenderave e koncesioneve të dyshimta, në shkelje të ligjit, për klientelën e tyre. Partia Demokratike përsërit kërkesën drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llala për nisjen e hetimeve për korrupsionin në shëndetësi. “Biznesi më shëndetin është më kriminali që ka bërë kjo qeveri, duke pasur vetëm një prioritet; zhvatjen e miliona eurove, e miliarda lekëve përmes tenderave e koncesioneve. Për vitin 2014, janë dhënë mbi 20 miliardë lekë pa shpallje, pa transparence. Për vitin 2015, deri tani që flasim janë 15 miliardë lekë të dhëna me prokurim të drejtpërdrejtë. Pra siç e shihni janë deri më sot mbi 35 miliardë lekë të nxjerra nga arka e shtetit prej Edi Ramës përmes Ilir Beqës, nën emërtimin shëndetësi, ndërkohë që spitalet janë në gjendje katastrofike, në kushte alarmante, mungojnë ilaçet, mungojnë paisjet.

Nuk gjenden as shiringa, doreza, pambuk, as alkool për të kryer një operacion. Dhe shpesh spitalet tona nuk kanë as drita”, theksoi Vokshi. Në vijim të akuzave, ligjvënësja demokrate theksoi se këto para janë ndarë me klientelën qeveritare, për t’u kthyer në llogari bankare, para e luks, vila e pushime përrallore për një grusht njerëzish, ndërkohë që shendetësia është në ditën e saj më të keqe, dhe qytetarët shqiptarë lusin zotin të mos shkojnë në dyert e spitaleve. “Ky biznes kriminal me jetën e shqiptarëve, është bërë përmes një mekanizmi gjithashtu kriminal. Pa garë, pa tender që synon kursimin me marrjen e ofertës më të ulët. Miliardat janë dorovitur në fitues të paracaktuar në fondin e tyre limit. Janë krijuar tashmë kalanet e sigurta të qarkullimit.

Koncesionet i marrin miqtë e Edi Ramës e Ilir Beqës. Barnat i fusin miqtë e Edi Ramës dhe Ilir Beqës”, theksoi ajo. Sipas Vokshit, siguria e ilaçeve nuk ekziston më, me atë që bëri Ministri qëllimshëm duke ndërhyrë në mënyrë flagrante në tenderin e barnave duke ua lënë atë në dorën e grosistëve, që groposnin miliona euro nga buxheti i shtetit dhe lejojnë hyrjen në Shqipëri të medikamenteve të pacertefikuara.

“Tenderi “Si je” për kontrollin falas të shëndetit iu dha me procedura të parregullta prokurimi shoqërisë tregtare të duhanit dhe alkolit. Skandali më i madh mafioz, ai i recetave të rimbursueshme i cili ricikloi në detyrë personazhe me rekorde të forta korruptive, me lidhje të drejtpërdrejta me aferën miliona euro në importin e medikamenteve po tentohet të mbyllet në heshtje si nga Qeveria ashtu edhe Prokuroria. Ministri e konsideron arritje trefishimin e fondeve për barna spitalore. Dhe kjo vërtetohet fare lehtë nga një analizë e të gjitha prokurimeve të kësaj qeverie. Shëndeti i shqiptarëve është në duart dyshes Rama – Meta, klientëve dhe sponsorëve të tyre që drejtojnë “de facto” Ministrinë e Shëndetësisë. Kjo është situata, këtu kemi arritur.

Hajdutë perversë që e kanë kthyer sektorin e jetës, sektorin më tërëndësishëm, në minierë pasurimi e zhvatje”, tha Vokshi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat