Falsifikimet e pronave, ja zonat ku është abuzuar

Shqipëria

Falsifikimet e pronave, ja zonat ku është abuzuar

Më: 1 shtator 2015 Në ora: 09:47

Marrëveshja për t’i dhënë fund falsifikimit të pronave dhe për të goditur çdo akt të falsifikuar, duket se do prekë me qindra “pronarë”, pjesa më e madhe e të cilëve kanë ndërtuar në gjithë vijën bregdetare të vendit. Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato tregon për “Shekulli”n se vetëm vitin e fundit, institucioni që ajo drejton ka kallëzuar në Prokurori 40 raste dhe ngre shqetësimin se numri i rasteve ku është vërtetuar përdorimi i dokumenteve të falsifikuara, sa vjen e po rritet. Ajo vlerëson bashkëpunimin ndërinstitucional, i cili do të bëjë të mundur verifikimin real të pronave “false”dhe do të vërë para drejtësisë grabitësit e tokës.

“Nuk kemi shifra ekzakte të këtyre rasteve por konstatojmë se janë me qindra. Ato vijnë herë pas here, sa herë aktivizohen dosjet apo denoncohen nga qytetarët. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, vitin e fundit ka bërë 40 kallëzime në Prokurori”, thotë Qato, duke thënë se pjesa më e madhe e abuzimeve dhe falsifikimeve janë bërë në bregdet. “Fenomeni i falsifikimit të pronës shtrihet në gjithë vijën bregdetare të vendit, pasi aty është parë interesi për të kryer shkelje, për shkak edhe të përfitimit që u jep prona në këto zona. Ndërsa, në vende të tilla si Kukësi apo zonat malore, nuk konstatojmë raste abuzive, ose mund të jenë shumë të pakta në numër”.

E pyetur se ku konsiston një marrëveshje e tillë dhe çfarë do të synohet nëpërmjet saj, kreu i AKKP-së shprehet se roli i përbashkët i 4 institucioneve është vendimtar në gjetjen e falsifikatorëve dhe zgjidhjen e fenomenit, i cili në kundërshtim me ligjin ka gjetur terren gjatë këtyre viteve. “I gjithë suksesi i kësaj marrëveshjeje është, jo vetëm te roli i agjencisë për të denoncuar raste abuzive që konstaton, por edhe te përgjigja në kohë reale për ekspertizat nga ana e Policisë Shkencore dhe mbi të gjitha te detyrimi, që çdo prokuror përballë një kallëzimi të tillë duhet të disponojë me vendim, mbi provat materiale, që vërtetojnë falsifikimin e akteve, me qëllim asgjësimin e tyre dhe nxjerrjen nga qarkullimi. Ky ka qenë shqetësimi im në këtë aspekt dhe për këtë jemi impenjuar bashkërisht ta arrijmë përmes kësaj marrëveshjeje”, tregon Qato.

Sipas saj, reforma që po ndërmerret në fushën e kthimit dhe kompensimit të pronave është një dëshmi e qartë se, abuzimeve në çështjet që trajtojnë kthimin e pronës apo kompensimin e saj, u ka ardhur fundi. “Përmes kësaj marrëveshje, marrim përsipër të kryejmë me përgjegjësi, të gjitha veprimet paraprake administrative-hetimore për të deleguar apo kallëzuar çdo rast, si dhe çdo subjekt, i cili ka abuzuar me pronën dhe ka tjetërsuar me pa të drejtë çdo sipërfaqe toke të caktuar”. Marrëveshja garanton disponimin mbi provat materiale nga ana e Prokurorëve. Marrëveshja synon asgjësimin dhe nxjerrjen nga qarkullimi të çdo dokumenti të falsifikuar, i cili apo përmes të cilit është fituar pronë në mënyrë të paligjshme.

Penalitetet

Nga marrëvshja e nënshkruar 4 ditë më parë me institucionet përgjegjëse, detyrimi që ka AKKP në zbatimin e saj është të bëjë kallëzim penal në prokurori kur merr dijeni për kryerjen e veprave penale, duke vënë në dispozicion elementet thelbësore të faktit, burimet e provës dhe çdo gjë tjetër që vlen për hetimin e plotë të çështjes e për identifikimin e autorit si dhe të sigurojë mbrojtjen dhe fshehtësinë e informacionit, provave, akteve dhe të dhënave të tjera, deri në përfundim të hetimeve paraprake. Sipas Qatos, shumë prej rasteve të konstatuara mbartin elemente të veprave penale të “Falsifikimit të dokumenteve“, “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

“Një pjesë e këtyre veprave penale, edhe pse procedurialisht janë parashkruar, për shkak të realizimit të tyre shumë vite më parë, vazhdojnë të sjellin anomali në trajtimin e pronës dhe sigurinë juridike të saj. Ky problem shfaqet dukshëm jo vetëm në çështjet e kthimit dhe kompensimit të pronave por edhe në çështjet e regjistrimit e tyre dhe, transaksionet e kryera mbi këto prona të fituara në mënyrë të paligjshme. Këto fakte cenojnë rëndë pronën dhe qarkullimin e lirë të saj”- deklaron drejtoresha e AKKP-së. Nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit midis Prokurorit të Përgjithshëm, AKKP, Avokaturës së Shtetit dhe Policisë së Shtetit, është intensifikim i veprimtarisë së përbashkët, për të luftuar çdo rast që kërkon të përfitojë nga mungesa e vëmendjes dhe koherenca administrative në trajtimin e të gjitha rasteve abuzive me pronën shtetërore apo vjedhjen e pronës së tjetrit.

Si janë bërë falsifikimet

Gjatë punës së përditshme, stafi i AKKP-së konstaton raste të tjetërsimit të pasurisë së paluajtshme shtetërore me anë të falsifikimit të dokumenteve, nga ana e subjekteve të ndryshme, duke synuar përfitimin në mënyrë të padrejtë të kësaj pasurie si edhe rishitjes së saj. Përgjithësisht rastet e falsifikimit të dokumenteve kanë të bëjnë me ndërhyrjet në dokumentet arkivor, hipotekor, kadastral dhe vendimet e ish-KKKP-ve, ZRKKKP-ve.

Falsifikimi i dokumenteve konsiston në një sërë shkeljesh, të cilat kanë të bëjnë përkatësisht me ndryshimin e sipërfaqeve,zmadhimin, keqpozicionimin, ndërhyrjen në aktin administrativ të njohjes së pronësisë, raste të përpilimit të akteve, jo nga organi kompetent, por nga vete subjektet si dhe rastet flagrante të dhënies së Vendimeve të Komisioneve të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në kundërshtim me ligjin, duke krijuar mbivendosje me titujt e mëparshëm të pronësisë.

Ekonomia nuk premton

Shqipëria do të do të mbetet një prej vendeve më të varfra të Evropës edhe gjatë 10-vjeçarit të ardhshëm. Ky lajm i hidhur zbardhet në raportin e fundit për ecurinë ekonomike nga kompania BMI Research, pjesë e grupit ndërkombëtar të të renditjes, Fitch rating. Në analizën e saj, kompania përmend disa elementë si shkaktarë të ritmeve të ulëta ekonomike në Shqipëri për dekadën e ardhshme, si korrupsioni dhe pasojat e komunizmit, normat e ngadalta të rritjes së prodhimit të brendshëm bruto, nivelin e dobët në sektorin e konsumit dhe progresi i dobët në zbatimin e reformave strukturore.

Nga një prej ekonomive më të mbyllura në botë nën komunizëm, Shqipëria ka rritur hapjen e saj të tregtisë gjatë viteve të fundit. Progresi në secilën prej këtyre fushave u shpërblye në vitin 2014, kur Shqipëria mori statusin kandidat i BE-së. Por, përkundër këtij përparimi, BMI Research mbetet më pak optimist rreth perspektivave të rritjes në të ardhmen e vendit pasi çështjet e trashëguara nga epoka komuniste ende vazhdojnë. Korrupsioni mbetet një plagë si tek qeveria dhe biznesi duke ndikuar mbi atraktivitetin e Shqipërisë si një destinacion për investime”, vijon më tej raporti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat