Raporti dhe shifrat/Emigrantët minorenë në Itali, pa shoqërinë e një të rrituri, Shqipëria renditet e dyta pas Egjiptit

Shqipëria

Raporti dhe shifrat/Emigrantët minorenë në Itali, pa shoqërinë e një të rrituri, Shqipëria renditet e dyta pas Egjiptit

Nga: Gjergj Koja Më: 31 gusht 2015 Në ora: 09:16

Shqipëria renditet e dyta pas Egjiptit përsa i takon emigrantëve minorenë që ndodhen në Itali të pashoqëruar nga prindërit.

Të dhënat janë bërë publike nga Ministria e Punës dhe Politikave Sociale në Itali, ndërsa shifrat tregojnë se gjatë 7 muajve të 2015 ka pasur një rritje të numrit të fëmijëve shqiptarë që shkojnë në Itali si emigrantë të pashoqëruar nga prindërit. Vendin e parë e zë Egjipti me 1896 fëmijë emigrantë, ndërsa Shqipëria ka 1198 të tillë. Ndërkohë Kosova renditet në vendin e 11 me vetëm 220 fëmijë minorenë të pashoqëruar nga prindërit.

Raporti i referohet të dhënave deri më 31 Korrik 2015, ndërsa në të nënvizohet se në Itali janë të regjistruar 8442 emigrantë minorenë të kombësive të ndryshme, të pashoqëruar nga një i rritur, shifër kjo që tenton të rritet për shkak të fluksit të madh të përditshëm të mbërritjes së emigrantëve. 8014 janë minorenë të seksit mashkulll e 428 të seksit femër. Fëmijët nga Shqipëria zënë 14.2 % të numrit të përgjithshëm të fëmijëve minorenë që ndodhen si emigrantë në Itali pa shoqërinë e një të rrituri.

Deri më 31 dhjetor të 2014 minorenë shqiptarë të pashoqëruar në Itali ishin rreth 1043 duke e renditur Shqipërinë në vendin e 5 në këtë klasifikim, pas Egjiptit, Eritreas, Gambia, e Somalia.

Nëse deri një vit më parë origjina e tyre ishte kryesisht nga zonat e Veriut të Shqipërisë si Kukës, Dibër, Lezhë e Shkodër, aktualisht shumica e tyre vijnë nga prefektuarat e Shqipërisë Qëndrore e Jugore si Fier, Elbasan, Tiranë etj.

Gjatë katër muajve të parë të 2015 autoritetet italaine i kanë kërkuar Organizatës Botërore të kryejnë hetime familjare mbi rreth 165 raste minorenësh të pashoqëruar kryesisht nga Shqipëria, Kosova, Senegali e Bangladeshi për të ndërtuar historinë e kushtet e tyre familjare e për të kuptuar më mirë realitetin e prejardhjes së tyre.

Ky Raport Kombëtar i Ministrisë Italiane të Punës konfirmon se deri më 31 korrik 2015, dhe pse me shtimin e përditshëm të numrit të emigrantëve që mbërrijnë në territorin italian, Egjipti e Shqipëria janë dy vendet kryesore të origjinës së emigrantëve minorenë të pranishëm në Itali. Mosha e tyre është kryesisht 16-17 vjec.

Ndër 1198 minorenë me origjinë shqiptarë, aktualisht 84 prej tyre rezultojnë të pakontaktueshëm pasi janë larguar fshehurazi nga strukturat e strehimit apo nga familjet që i mikprisnin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat