PD akuza Qeverisë për fshehjen e të dhënave për muajin korrik nga Tatimet dhe Doganat

Shqipëria

PD akuza Qeverisë për fshehjen e të dhënave për muajin korrik nga Tatimet dhe Doganat

Më: 28 gusht 2015 Në ora: 12:44

Partia Demokratike akuzon Qeverinë se po fsheh të dhënat e muajit korrik, ndërsa po përpiqet të mbulojë korrupsionin në financa me propogandë. Dorian Teliti, ekspert i ekonomisë pranë Partisë Demokratike tha se të dhënat duhej të ishin publikuar më 20 gusht, ndërsa shtoi se informacionet paraprake tregojnë se muaji korrik është sërish një gërshetim i dështimit me korrupsion dhe të ardhurat nga doganat dhe tatimet janë shumë më poshtë se sa plani.

“Mungesa e transparencës në këtë drejtim, është thjesht thellim i abuzimit dhe mbulim i hajdutërisë masive në tatime e dogana. Kërkojnë ta fshehin këtë gropë financiare që u kushton qytetarëve, me aksione propagandistike, por në fund janë shifrat që vlejnë dhe jo llafet.
Muaji korrik është sërish dramatik në mbledhjen e të ardhurave, ku mungojnë para në buxhet për rrugë e shkolla, për çerdhe e kopshte, për rritje pagash e pensionesh. Por ky muaj është nga ana tjetër një parajsë për kontrabandistët dhe klientelën e qeverisë, që shmangin detyrimet, ndajnë paratë me zyrtarët duke shtuar pasurinë dhe luksin.

Partia Demokratike e denonon me forcë këtë mungesë transparence, këtë përpjekje të dëshpëruar për të mbuluar korrupsionin dhe dështimin.

Partia Demokratike ka një plan për shpëtimin e vendit, që konsiston në uljen e taksave, barazinë para ligjit, luftën ndaj korrupsionit dhe transparencën e plotë të financave të vendit”, tha Teliti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat