​Fushata e baballarëve, sa kontribuojnë burrat shqiptarë në familje

Shqipëria

​Fushata e baballarëve, sa kontribuojnë burrat shqiptarë në familje

Më: 2 gusht 2015 Në ora: 15:36

Shqipëria dhe Kosova vuajnë ende nga modeli i babit 'primitiv' që merret vetëm me punët jashtë shtëpisë ndërsa ato brenda ja lë gruas. Në fakt sot të gjitha shoqëritë e zhvilluara nuk bëjnë dallime mes gruas dhe burrit në familje; nuk ka punë të ndara në rritjen e fëmijës; gatimit apo pastrimit, pasi të dy prindërit kanë detyrime dhe përgjegjësi të njëjta.

Fakti që ky mentalitet dhe të tilla tabu mbizotërojnë ende në shumicën e familjeve shqiptare e ka detyruar shoqërinë civile në Shqipëri dhe Kosovë që të ndërmarrin disa nisma dhe fushata sensibilizimi për të sjellë një frymë të re dhe një model ndryshe të rolit të babait në familje.

Iris Luarasi iniciatore e 'Fushatës së Baballarëve' në Shqipëri thotë se gjërat kanë filluar të lëvizin edhe në shoqërinë tonë, pasi sot ka shumë baballarë të rinj që e ndihmojnë gruan në shtëpi, si me edukimin e fëmijës ashtu edhe me punët e tjera që ka familja.

Por se kjo frymë duhet ende të përhapet, duke rrëzuar stereotipet e së kaluarës; se burri është burrë dhe nuk bën punët e grave.

"Jo se figura e babait mungon, pasi ne kemi bashkëshortë të kujdesshëm, vëllezër të kujdesshëm, kemi pasur baballarë të kujdesshëm. Megjithatë jo të gjithë baballarët e meritojnë të quhen baballarë, disa prej tyre për shkak të personalitetit, për shkak të çrregullimeve psiqike, disa prej tyre për shkak të mosdijes. Edhe në fakt ky është targeti që ne vërtet synojnë; ata baballarë që nuk kanë pasur një model të mirë në jetën e tyre dhe nuk dinë ta bëjnë rolin e babait të mirë; Babai i mirë nuk është ai që i mëson fëmijës dhe djalit që ka punë të ndara për gruan dhe për burrin në shtëpi; por baba i mirë është ai që ndihmon nënën; e quan atë një partnere në ditët e tij të zakonshme të punës, është një baba që ndryshon pampersin e fëmijës, e ushqen fëmijën, gatuan në shtëpi ; është një baba që bën nga ato gjëra që dikur konsideroheshin si punë vetëm për nënën", tha Iris Luarasi.

Edhe në Kosovë është e njëjta situatë, ku ka ende mentalitet në mënyrën se si ndahen detyrat në familje. E për këtë shoqëria civile në Kosovë ka marrë angazhimin që përmes fushatës së baballarëve të rris rolin e babait në familje dhe të sjell një model të ri, pa paragjykime dhe pa ndasi mes gruas dhe burrit.

Kështu thotë Besnik Leka, nga organizata “Care International” në Kosovë, i cili shton se përfshirja e baballarëve në familje mbi të gjitha ndikon në edukimin e mirë të fëmijëve por edhe në vetë personalitetin e prindërve.

"Është diçka e re që po ndodh në Rajon, në Kosovë dhe Shqipëri, është si pjesë e iniciativës së "djemve të rinj",e cila ka për qëllim 'kyçjen ; e baballarëve në shtëpi, integrimin e tyre me fëmijët që të jenë sa më afër fëmijëve të tyre, njëkohësisht kjo jo vetëm që ndikon pozitivisht te fëmijët , ndihmon dhe lehtëson gruan por njëkohësisht është mirë edhe për shëndetin dhe personalitetin e vet baballarëve në një farë mënyre. Si modele ne kemi marrë fillimisht disa fotografi që japin mesazhe pozitive, është një qasje ndoshta më ndryshe, në krahasim me ato siç i shohin baballarët domethënë si i qasin fëmijët e tyre, dhe natyrisht përmes programit do të krijojmë grupe të baballarëve ku do të bëjmë trajnime me ta. Për momentin ne shohim që kjo është diçka që mungon, pra përfshirja e baballarëve më tepër në punët e shtëpisë dhe të familjes. Por është interesante kur tani shohim që baballarët apo gjyshërit që nuk kanë pasur mundësi më herët të angazhohen më shumë me fëmijët e tyre sot ata merren shumë me rritjen e nipërve të tyre", tha Leka.

Por fushata e baballarëve nuk synon që ta sjellë ndryshimin menjëherë. Sensibilizimi kërkon kohë, por rëndësi ka që gjërat kanë nisur të lëvizin për mirë, dhe baballarët e rinj e kanë kuptuar që roli i tyre në familje duhet të jetë edhe më i madh, i barabartë me gruan, duke mos kërkuar epërsi apo paragjykime që kanë shoqëruar familjet tona prej dekadash të tëra.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat