Tani Edi Rama është në telashe edhe me FMN-në

Shqipëria

Tani Edi Rama është në telashe edhe me FMN-në

Më: 31 korrik 2015 Në ora: 18:54

Edi Rama pranoi të ishte një nxënës i bindur i Fondit Monetar Ndërkombëtar, pak pasi mori qeverisjen.

Ndryshe nga pasaardhësi i tij, që ishte kritikuar pse nuk kishte pranuar një marrëveshje me FMN-në, Rama premtonte të ishte ndryshe.

Por tashmë duket se ai nuk është më një nxënës i mirë.

Aksionet e Crown Agents ndaj disa duhanshitësve në Shkodër dhe paralajmërimet e Ramës se në shtator do të nisë lufta ndaj atyre që bëjnë evazion, ishin parapritë e një stine të ftohtë me FMN-në.

Kjo e fundit ka sqaruar për herë të parë në publik pse nuk e nënshkroi marrëveshjen e radhës me qeverinë shqiptare. Përfaqësuesi rezident i Fondit në Tiranë, Jens Reinke zbuloi për Top Channel se shkaku është ecuria e dobët e të ardhurave në buxhet, për të cilat FMN i ka kërkuar qeverisë të marrë masa.

“Gjatë këtij viti të ardhurat kanë rënë në mënyrë thelbësore nga pritshmëritë dhe plani. Në këtë pikë, për të kompletuar nënshkrimin e marrëveshjes ne diskutuam me qeverinë për masat në krahun e taksave, të cilat do të mbyllnin gropën. Por qeveria vendosi të punojë njëherë në drejtim të administrimit përpara se të angazhohet në diskutime për politika të reja taksash, çka në gjykimin tim është një rrugë e përshtatshme, por edhe fisnike për të lëvizur përpara”, deklaron Reinke.

Në 5 muajt e parë të vitit, të ardhurat nga tatimet dhe doganat ishin 11 miliardë lekë më pak se plani. Shqetësimi i FMN-së është se shkaqet e rënies janë afatgjata dhe kjo mund të vërë në rrezik programin për uljen e borxhit.

“Disa nga arsyet reflektojnë faktorë të jashtëm, si rënia e çmimit të naftës, interesat apo dhe inflacioni i ulët. Por disa të tjera lidhen me zbatimin e ligjit dhe rregullave tatimore. Pra, ka një problem administrimi. Taksat nuk janë aq të ulëta në Shqipëri, por performanca e të ardhurave nuk është e fortë”, nënvizon Reinke.

“Mënyra se si qeveria do të përballet me këtë problem është sigurisht vendim i saj. Ky aksion shkon në linjë me temën kryesore, që është përmirësimi i administrimit fiskal, forcimi i shtetit ligjor dhe disiplinës në sektorin privat. Por, ne do mund ta gjykojmë atë vetëm kur të shohim rezultatet”, shprehet Reinke.

Për momentin, bisedimet janë pezull. Por në tetor misioni i FMN-së do të rikthet sërish në Tiranë dhe nëse deri atëherë qeveria nuk i ka përmirësuar të ardhurat, menuja që do t’i ofrohet nuk do të ketë shumë mundësi zgjedhjeje.

“Programi është i ankoruar në performancën fiskale dhe reduktimin e borxhit. Nëse disa tregues nuk ecin sipas planit të paracaktuar, atëherë duhen masa korrektuese. Qeveria mund të shohë për kursime, të shkurtojë shpenzime të panevojshme. Por, nëse këto nuk do të mjaftojnë, atëhere do të duhen masa në krahun e taksave. Por i takon qeverisë të vendosë se cilën nga këto instrumenta do të zgjedhë, nëse do të dojë të ulë shpenzimet apo të rrisë taksat”, përfundon Reinke.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat