Grabiten banesat ku pushonin deputetët e PD e disa të tjera

Shqipëria

Grabiten banesat ku pushonin deputetët e PD e disa të tjera

Më: 29 korrik 2015 Në ora: 09:23

Dy banesa në “Girin e Lalzit” ku po kalonin pushimet dy deputetë të Partisë Demokratike kanë rënë pre e grabitjes mesnatën e 27 korrikut. Në një prej banesave ishte duke pushuar familja e Arben Ristanit dhe kunata e tij, e ndërsa tjetra është banesa e një miku të deputetit Flamur Noka, në të cilën ky i fundit kishte shkuar për të kaluar disa ditë pushimi.

Burime nga Policia e Durrësit thanë se përveç këtyre dy banesave kanë qenë edhe disa të tjera të cilat kanë rërë pre e grabitjes. Mësohet se banesa ku po pushonte familja e deputetit Ristani ndodhet në ambientet e kompleksit “Lura”, e cila është marrë në ruajtje nga roje të një kompanie private, për të cilët janë këta të fundit që do të mbajnë përgjegjësi për ngjarjen.

Ngjarja
Ka qenë mesnatë kur persona ende të paidentifikuar nga policia kanë thyer xhamat dhe kanë hyrë në disa banesa në zonën e “Gjirit të Lalzit” dhe kanë marrë që aty disa aparate celularë e më pas janë larguar. Në një lidhje telefonike me deputetin e djathtë Flamur Noka tha për gazetën “Shqiptarja.com” se në momentin që hajdutët kanë hyrë në banesë, ai së bashku me të afërmit e tij nuk kanë konstatuar asnjë zhurmë dhe kanë kuptuar se kishin rënë pre e grabitjes vetëm kur janë zgjuar në mëngjes.

Më tej, Noka tha se nga ambientet e shtëpisë ishin marrë vetëm telefonat e mikut të tij. Ndërsa, në banesën ku ndodheshin gruaja e deputetit Ristani, kunata e tij, si edhe fëmijët ishte marrë vetëm një aparat celular i markës “Samsung”, si edhe 10 mijë lekë të vjetra të cilat kishin qenë në kuzhinë.

Sekuestrimi
Burime nga Policia e Durrësit thanë se në lidhje me këtë ngjarje kanë marrë pamjet e kamerave të sigurisë së kompleksit “Lura” si edhe të disa bizneseve të tjera të cilat ndodhen aty pranë. Po ashtu, edhe për banesat e tjera të grabitura janë sekuestruar edhe disa kamera të tjera sigurie, ku është konstatuar se hajdutët kanë qenë të pa maskuar dhe tashmë janë kërkim nga policia.
Ristani “Janë vjedhur veç celularë”
Pas grabitjes së banesës ku ishte duke pushuar familja e Ristanit, ka qenë pikërisht ky i fundit i cili ka reaguar në rrjetin e tij social Facebook, ku shkruan: "Shtëpia ku po pushon gruaja dhe kunata ime, së bashku me fëmijët në Lalz, është vjedhur mbrëmë, ndërkohë që njerëzit flinin. Nuk ka pasur gjë për të vjedhur përveç ndonjë celulari.

Do kisha thënë fatmirësisht dëm i vogël, por ndërkohë janë vjedhur edhe disa shtëpi të tjera ku përveç dëmit, frika dhe trembja e njerëzve ka qenë e madhe. Kam denoncuar shpesh në emër të PD, se vjedhjet dhe grabitjet janë shtuar shume dhe kjo është tregues i qartë jo vetëm i përmasave të varfërisë, por edhe i gjendjes mizerabël të rendit dhe sigurisë në vend. Më duhej edhe kjo që të kuptoja në lëkurën time se si ndjehen njerëzit që ju përdhunohet jeta".
Reagimi, Noka: “Nuk kemi ndjerë asnjë zhurmë, ishim në gjumë”
Deputeti i djathtë Flamur Noka, në një lidhje telefonike për gazetën “Shqiptarja.com” tha se kishte shkuar për të kaluar disa ditë pushimi në banesën e një mikut të tij i cili ndodhej në zonën e “Gjirit të Lalzit” kur kanë rënë pre e një grabitjeje. Ai tha se nuk kanë ndjerë asnjë lloj zhurme të hajdutëve pasi kanë qenë të gjithë në gjumë dhe në mëngjes kanë vënë re se në banesë ishin futur hajdutë.

“Kam qenë në shtëpinë e një mikut tim që jeton te “Gjiri i Lalzit” për disa ditë të pushuar, por kur sot (dje) në mëngjes jemi zgjuar nga gjumi kemi konstatuar se në shtëpi kishin hyrë hajdutë. Nuk e di se sa persona mund të kenë qenë por në shtëpi ata kanë marrë vetëm telefona të cilët ishin të mikut tim. Nuk u grabitëm vetëm ne, por ishin edhe disa banesa të tjera dhe në një prej tyre kishin qenë familjarë të një kolegut tim”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat