Ndërtimet pa leje, nis fotografimi dixhital ajror i Shqipërisë

Shqipëria

Ndërtimet pa leje, nis fotografimi dixhital ajror i Shqipërisë

Më: 28 korrik 2015 Në ora: 17:16

Ka përfunduar faza e parë e fotografimit dixhital ajror të të gjithë territorit të Shqipërisë, një projekt i financuar nga qeveria shqiptare në vlerën e 2 milionë dollarëve. Kjo fazë përfundoi me fotografimin e zonave urbane të një hapësire prej 1100 kilometrash katrore.

Ministrja e Inovacionit, Milena Harito ka inspektuar sot paradite ecurinë e këtij procesi mjaft të rëndësishëm, siç e ka konsideruar ajo. Në mjediset e aeroportit të Rinasit ajo është takuar me stafin e kompanisë gjermane “HansaLuftBild”, e cila është duke përdorur mjetet e teknologjisë më të fundit për të realizuar projektin në fjalë.

Risia e këtij procesi është se nuk do të kemi vetëm një fotografim nga ajri, por edhe një skanim të territorit, si një nga mënyrat për të zgjidhur çështjen e ndërtimeve pa leje.

“Ky fotografim ajror do të na japë të dhëna të sakta për gjithë territorin e Shqipërisë, dhe do të na sigurojë jo vetëm një foto ajrore, por një skanim të gjithë sipërfaqes për të pasur një pamje në 3D. Kështu do të kemi të dhëna të sakta mbi godinat, mbi lartësinë e tyre, dhe kjo është një mënyrë për të zgjidhur çështjen e ndërtimeve pa leje, veçanërisht në rastet e kateve që janë shtuar pa pasur lejet përkatëse”, është shprehur Harito.

Të dhënat e këtij projekti do të përdoren nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ALUIZNI, Agjensia e Kthimit dhe Kompesimit të Pronave, Agjencia Kombëtare të Planifikimit të Territorit, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Ministria e Mjedisit, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Njësitë e qeverisjes vendoreShërbimi Gjeologjik Shqiptar, e shumë agjenci dhe institucione të tjera shtetëore

Sipas projektit parashikohen të kryhen rreth 40 000 fotografime gjithsej. Përmes të dhënave të mbledhura nga fotografimi ajror dixhital është e mundur të kryhen kërkime shkencore dhe të analizohen ndryshimet krahasuar të dhënat ekzistuese për çështje si: Erozioni bregdetar, fondi pyjor, zhvillimi i burimeve minerale, ndryshimet e përdorimit të tokës, etj, etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat