Presidenti takon pedagogët: Do të respektoj Kushtetutën për Ligjin e Arsimit të Lartë

Shqipëria

Presidenti takon pedagogët: Do të respektoj Kushtetutën për Ligjin e Arsimit të Lartë

Më: 28 korrik 2015 Në ora: 08:25

Përpara se ta shprehë mendimin e tij me dekret pro ose kundër Ligjit të ri për Arsimin e Lartë, kreu i shtetit Bujar Nishani zhvilloi një takim konsultues me akademikë dhe pedagogë. Vetëm pak kohë më parë ky ligj u miratua në Parlament vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa tashmë pritet nga kreu i shtetit nëse do të vendosë ta dekretojë pro këtë ligj apo do ta rikthejë për rishqyrtim në komisionet parlamentare. Tryeza Në takimin konsultues me akademikë, pedagogë dhe dekanë të universiteteve shtetërore në vend, i cili zgjati për disa orë, Presidenti Nishani u shpreh se do të respektojë vetëm Kushtetutën e vendit, duke qëndruar jashtë çdo debati politik. “Do të doja që përpara se të gjykoj institucionalisht dhe duke ushtruar tagrin dhe përgjegjësitë institucionale dhe kushtetuese të merrja edhe një gjykim dhe vlerësim nga ana juaj rreth sfidës që ofron ky legjislacion për studentët, pedagogët, akademikët, në fund të fundit për trurin e shoqërisë shqiptare”, nënvizoi Presidenti.

Më tej Nishani u shpreh se ky takim konsultues është thirrur përpara se Presidenti i Republikës të shprehet si interpretues i parë i Kushtetutës së Republikës, duke marrë në konsideratë dhe duke ushtruar fillimisht përgjegjësinë kryesore që ka Institucioni i Presidentit të Republikës për të garantuar te qytetarët shqiptarë liritë dhe të drejtat themelore të tyre të parashikuara në Kushtetutë si dhe nisur edhe nga ndjeshmëria që ka pasur ky ligj në ambientin akademik dhe atë studentor. Presidenti Nishani vuri në dukje se, para se të shprehet përmes dekretit për të kompletuar procesin ligjvënës dhe duke qëndruar tërësisht jashtë debatit politik, që mund të përfshijë qoftë legjislativin dhe qoftë ekzekutivin, dëshironte të parashtronte dy kolonat e parashikuara prej tij në thirrjen e këtij takimi: “Së pari, garantimin e të drejtave të Kushtetutës që kanë të bëjnë me të drejtën e arsimit për shtetasit shqiptarë dhe së dyti, me autonominë e institucioneve të arsimit të lartë dhe këto të argumentuara dhe të marra si përgjegjësi institucionale për të marrë mendimin e personave, të cilët e kanë të lidhur aktivitetin e tyre pikërisht për çështjet që do të diskutohen”.

Duke u shprehur se ky ligj cenon të drejtën e arsimit dhe autonominë e universiteteve numri një i shtetit la të kuptohet se shumë shpejt mund ta kthejë këtë ligj për rishqyrtim. Duke folur për ligjin e ri Nishani u shpreh se vendi ynë nuk vuan për legjislacion, madje sipas tij ka ligje të shumta që janë hartuar edhe me asistencë ndërkombëtare, por problemi qëndron tek implementimi i tyre. “Ne biem dakord dhe e themi shpesh që shteti shqiptar nuk vuan në kontekstin sasior dhe formal të legjislacionit. Kemi ligje të shumta të përfituara me asistencë teknike ndërkombëtare e me standarde. Problem mbetet implementimi i tyre. Por, nëse kanë defekt që në hartim, implementimi i tyre bëhet edhe më i vështirë dhe më i pamundur”, theksoi Nishani. Pjesa më e madhe e të pranishmëve në tryezë i kërkuan kreu të shtetit që të mos e dekretojë ligjin pasi sipas tyre me anën e tij ligjërohet katrahura që i ishte bërë sistemit tonë arsimor në këto 25 vite. “Ne dhe këtu një pjesa jonë që nga ‘90 jemi angazhuar për ta transformuar arsimin tonë publik në Shqipëri, nuk mund ta pranojmë”, u shpreh shefi i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit Artan Fuga. Por pjesë e tryezës ishin edhe akademikë të cilët e mbështesin pa rezerva ligjin e ri duke u shprehur se me këtë ligj tentohet të rritet konkurrenca mes publikut dhe privatit.

Pedagogët përplasen përpara Nishanit për Ligjin e Arsimit

Tryeza e organizuar nga Presidenti Nishani kishte në thelb të saj dëgjimin e argumenteve pro dhe kundër Ligjit të ri të Arsimit të Lartë. Ndonëse pjesa më e madhe e të ftuarve nga kreu i shtetit, të cilët kanë qenë pjesë edhe e takimit me kreun e opozitës Basha, ishin kundër këtij ligji, pati edhe pedagogë që parashtruan argumentet e tyre në mbrojtje të tij.

Artan Fuga: Nuk jam këtu për ligjin e arsimit, nuk më intereson më, kam një shqetësim më të madh. Cila është kultura, procedura dhe mënyra e konstituimit të një ligji aktualisht sot në Shqipëri, dhe në rastin e këtij ligji në veçanti? Se ligji si tekst, ka disa vlera absolute që vijnë nga prirja dominuese sot e asaj që quhet neonatyrore, që domethënë se ligji duhet të plotësojë disa sisteme koherencash, e para me arsyen, e dyta me aktet ndërkombëtare që ka firmosur Shqipëria, Kushtetutën, por s’mjafton kjo. Sot, duke studiuar ligjin, ligji s’është në përputhje me veten e vet, s’ka koherencë të brendshme. Çfarë është një agjenci në varësi të ministrit? Mund të jetë një agjenci e pavarur? Në gjykimin tim s’mund të jetë. Po çfarë është? Mua më lënë përshtypje që na dalin disa ministri dhe kanë më shumë kompetenca se sa vetë ministria e Arsimit.

Mark Marku: Ne nuk jemi nisur as nga optimisti as nga pesimizimi. Shumica prej nesh jemi në moshë që të jemi optimistë. Ne nisemi nga përgjegjësia dhe nga dija që kemi përfituar pa mbështetjen e qeverisë. Qeveria shqiptare s’ka dhënë asnjë kontribut deri tani për dijen tonë shkencore. Kryeministri duhet ta dijë këtë para se të dalë dhe të na fyejë e ofendojë publikisht. Kemi një punë 95% më të mirë se ministrat madje edhe se vetë kryeministri. Para se të dalë të bëjë epistemologji (teoria e diturisë) në media duhet të ketë shkelur një universitet perëndimor, të ketë dhënë një provim në një universitet perëndimor. Me diplomë të realizmit socialist për propagandën e komunizmit nuk mund të bësh as oponencë as të japësh këshilla, më mirë do ishte të dëgjonte.

Ardian Marashi, Drejtor i QSAsë: Ligji për arsimin e lartë mohon statusin e QSA-së (Qendra e Studimeve Albanologjike), duke e kthyer atë në një institucion jashtë kornizave ligjore. Më 21 korrik, parlamenti shqiptar miratoi reformën në arsimin e lartë. Por, ne nuk marrim përsipër të flasim këtu për përmbysjen revolucionare që do të sillte kjo reformë në institucionet e larta arsimore, por do flasim për përmbysjen definitive që do të sjellë ky ligj, duke ju kërkuar solidaritetin për normalizimin e situatës. Pasojë e parë e miratimit të këtij ligji është mohimi i statusit të QSA-së dhe nxjerrja e këtij institucioni jashtë kornizës ligjore. Asnjë akt ligjor nuk e njeh më këtë institucion.

Artan Haxhi, rektor i Universitetit të Shkodrës: Është shkelje e autonomisë financiare. Përmendet emri i administratorit, i cili më çon mallin e sekretarit të partisë. Institucioni ka dy krerë, njëri rektori që ka vetëm anën akademikë dhe një rektor i dytë që ka anën financiare. Në pika të veçanta të këtij ligji ka shkelje të të drejtave të njeriut

Jorgaq Kaçani, rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës: Ky ligj e bën të mundur përmirësimin e cilësisë, por mos harrojmë se arsimi i lartë nuk është një mall çfarëdo, është një e mirë publike. Edhe ligji këtë tenton të bëjë nëpërmjet katër agjencive, të cilat kërkojnë që të rregullojnë këtë konkurrencë të kësaj të mire publike që ne po i themi arsimi i lartë

Artan Fuga: Kjo është as më pak dhe as më shumë rivendosje e privilegjeve dhe kastave të para 4 gushtit jo të 1989-s, por të 1789-s.

Jorgaq Kaçani: Unë po them që Universiteti Politeknik i Tiranës nuk ka nevojë fare për mbështetje financiare. Fare s’ka nevojë dhe është një risi që bie në dukje, e nxjerr universitetin si aktor në ekonominë e tregut.

Mark Marku: Ne nuk mund të shkojmë me këmbë në gojë drejt vdekjes, sepse qeveria na ka ofruar një ligj, që në themel dhe strukturë e shkatërron sistemin e arsimit të lartë publik në Shqipëri

Albert Qarri, rektori i Universitetit të Vlorës:
Unë vlerësoj se, ky ligj mundëson një edukim bashkëkohor dhe një organizim të universiteteve me parime evropiane. Kushtetuta ta jep me ligj, por kur je i paaftë të shkosh në Universitet, kaq e ke kapacitetin, kaq e ke intelektin. Unë po them që ligji mbështet financiarisht studentët e ekselencës.

Ligji

Ligji i ri krijon debate për sa i përket ngritjes së agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë, që është institucion publik nën varësinë e MAS. “Çfarë është një agjenci nën varësinë e MAS, mund të jetë e pavarur? S’mund të jetë se vullneti i saj është i deleguar. Pra nuk është. Po çfarë është? Mua më kanë lënë përshtypje këto agjenci që marrin kompetencat e ministrisë, pra na dalin disa ministri që kanë më shumë kompetenca se vetë ministria: shpërndarje fondesh, gjykimi i cilësisë, vlerësimi i punimeve. Si është e mundur që një agjenci e deleguar që merr kompetenca nga një dikaster ka më shumë kompetenca, të cilat marrin kompetenca ekzekutive. Nuk është më një interpretim, është një ligj i mire apo jo, këtu kemi një problem absolutisht juridik që nuk ka interpretim”, u shpreh Fuga. Kjo sipas Mark Markut shkel çdo normë kushtetuese dhe marrëveshje ndërkombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat