Hetimi: 390 giga me material pornografik

Shqipëria

Hetimi: 390 giga me material pornografik

Më: 8 korrik 2015 Në ora: 07:50

Një hetim i autoriteteve gjermane për një rrjet prodhimi dhe shpërndarjeje në internet materiale pornografike me të mitur, është shtrirë dhe në Shqipëri. Punonjësi i një banke të nivelit të dytë në vendin tonë, E.V., me vendim të gjykatës së Tiranës do të qëndrojë prapa hekurave, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale “Pornografia”, në formën e posedimit të fotove dhe videove me akte seksuale me të mitur.

Në dosjen e prokurorisë së Tiranës, ndaj të dyshuarit E.V., hidhet dritë mbi mënyrën sesi hetimi nisi pas një kërkese të ardhur nga zyra e Interpolit gjerman deri në bllokimin e kompjuterit të tij, ku thuhet se janë gjetur materiale pornografike tejet komprometuese për të.

Sinjalizimi nga Gjermania

Prokuroria e Tiranës nisi hetimin në qershor të 2015-ës, pas referimit të bërë nga Policia e Shtetit, e cila ishte njoftuar për këtë veprimtari kriminale prej zyrës së Interpolit gjerman. Nga verifikimet në Shqipëri, rezultoi se E.V. kishte në posedim në kompjuterin e tij personal një sasi shumë të madhe fotosh dhe videosh pornografike me të mitur (rreth 390 gigabajt).

Sipas informacionit, mbërritur paraprakisht nga Gjermania, autoritetet e atjeshme kanë kryer disa hetime, nisur në vitin 2011, lidhur me një rrjet prodhimi dhe shpërndarjeje në internet të materialeve pornografike me të mitur. Për prodhimin e këtyre materialeve filmike dhe fotografike, autoritetet gjermane kanë arrestuar dhe dënuar disa shtetas. Ndërkohë, këto materiale pornografike qarkullonin në rrjetin e internetit, duke iu dhënë “klientëve” të ndryshëm, në vende të ndryshme të botës. Gjatë verifikimeve të kryera nga autoritetet gjermane, ndër të tjera, rezultonte se një përdorues interneti në Shqipëri kishte “llogari klienti” për të aksesuar dhe shkarkuar këtë lloj materiali pornografik specifik.

Në vijim të hetimeve të nisura prej tyre, autoritetet gjermane kanë konstatuar trafik në marrjen e këtyre materialeve pornografike nga persona të ndryshëm në shumë vende të botës. Këto verifikime janë kryer gjatë periudhës janar-prill 2015. Pikërisht në kuadër të këtyre verifikimeve, në dt. 01.04.2015, autoritetet gjermane kanë konstatuar një adresë internet protokolli (IP) nga Shqipëria, nga e cila ishin shkarkuar një numër i madh fotosh dhe videosh me pornografi të miturish. Për këtë arsye, zyra e Interpolit gjerman ka kontaktuar me zyrën e Interpolit shqiptar, të cilit i ka vënë në dispozicion informacionin e detajuar, ku ndër të tjera ishin edhe disa foto të printuara nga materiali që kishte shkarkuar përdoruesi shqiptar.

Hetimi në Shqipëri

Nga verifikimet paraprake ka rezultuar se kjo IP (Internet Protocol) i përket një subjekti shpërndarës interneti (internet provider) të licencuar në Shqipëri. Ky subjekt ka konfirmuar se adresa IP i përket shtetasit E.V., me adresën e detajuar në Tiranë. Në këto kushte, është kërkuar nga Prokuroria dhe pranuar nga gjykata kryerja e kontrollit personal dhe të banesës së shtetasit E.V., si dhe sekuestrimit të pajisjeve kompjuterike të këtij personi. Në datën 03.07.2015 është kryer kontrolli i banesës së shtetasit E.V., ku janë gjetur e në vijim sekuestruar një njësi kompjuterike, dy hard disqe të jashtme. Në të njëjtën datë është bërë dhe kontrolli personal i shtetasit E.V., veprim gjatë të cilit janë gjetur dhe pajisje të tjera dixhitale, konkretisht një aparat telefonik, një USB, dhe dy hard disqe të tjera të jashtme.

Organet e policisë gjyqësore kanë bërë këqyrje të pjesshme të njësisë kompjuterike të sekuestruar në banesën e shtetasit E.V. Nga ky veprim rezulton se në këtë pajisje ndodhen dy skedarë. Në njërin prej skedarëve konstatohet një numër i konsiderueshëm skedarësh, foto dhe video, të cilat pasqyrojnë akte seksuale me të mitur. Disa nga pamjet janë printuar gjatë këqyrjes së kryer. Skedari përmban foto dhe video në një sasi shumë të madhe, konkretisht në një kapacitet prej 392 Gb. “Kështu – thuhet në dosjen e prokurorisë – provohet se ky person posedon dhe përdor materiale të pornografisë me të mitur.”/bw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat