Skandali në jetimore, flet Drejtoresha: E shokuar nga pamjet e dhunës

Shqipëria

Skandali në jetimore, flet Drejtoresha: E shokuar nga pamjet e dhunës

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 12:53

Drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër, Anjeza Gjeluci, thotë se është shokuar nga sjellja e punonjësve të saj me fëmijët në pamjet e transmetuara në video.


Teksa komunikoi për gazetarët masat e marra ndaj tre kujdestarëve protagonistë, ajo tha se veprimet janë të veçuara dhe personale, duke shtuar se ky nuk është rasti i parë.


Gjeluci: “Jam e shokuar sepse edhe investimet kanë qenë të mëdha jo vetëm materiale, por edhe ato shpirtërore, ku jemi munduar të gjithë bashkë me dhënë maksimumin. Këto veprime janë sporadike, personale.Ndonjëherë ne nuk jemi as në zemrën dhe shpirtin e njerëzve tanë të gjakut dhe jo më të njerëzve që kemi shumë pak kohë që i njohim. Unë uroj që këto të mos përsëriten. Nuk është hera e parë që ky institucion merr një vendim ndaj një punonjësi për dhunë ndaj fëmijës. Në momentin që kemi konstatuar në shkurt të 2014 është bërë shkarkimi i një ish-punonjëses për shkaqe dhune. Në momentin e evidentimit, ne si institucion, Shërbimi Social Shtetëror ka marrë masa. Masat për këta tre punonjës janë marrë mbrëmë me shkarkimin e të treve dhe denoncimin, kallëzim penal”.


Situatën e bën më dramatike fakti se të tre punonjësit kanë mbi supe jo vetëm formim akademik por dhe 20 vite eksperiencë pune.


Gjeluci nuk nguron të marrë dhe përgjegjësi personale kur thotë se ka insistuar për mbajtjen e punonjësve të vjetër dhe me eksperiencë në jetimore.


Gjeluci: “Punonjësit ishin me arsim të lartë, të kualifikuar dhe kishin 20 vite eksperiencë pune. Arsyeja pse nuk është marrë asnjë masë ndaj tyre është sepse nuk ka pasur asnjë shenjë deri më sot dhe se janë vlerësuar për shkak të eksperiencës së gjatë të punës. Sigurisht atashimi me fëmijët dhe përkujdesja që ata u jepnin fëmijëve më ka bërë të mendohem disa herë për punonjësit e vjetër, me eksperiencë në këtë institucion.Siç duket jam gabuar, masa është marrë menjëherë”.


Nga ana tjetër ajo ngriti shqetësimin edhe për mungesën e një psikologu në këtë institucion.


Gjeluci: “Fëmijët nuk kanë pasur një shprehi të keqe psikologjike, pavarësisht se institucionit për vite me radhë që në 1960 i mungon psikologu. Nuk ka pasur asnjëherë psikolog në strukturë, megjithatë edukatorë, kujdestarë, me formime akademike, psikologjike, kanë arritur të bëjnë këtë punë në mënyrë individuale duke i dhënë me aq sa kemi mundur më të mirën”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat