Nishani takon Glover: Zgjedhjet, test i maturimit të klasës politike

Shqipëria

Nishani takon Glover: Zgjedhjet, test i maturimit të klasës politike

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 16:47

Një javë pas përmbylljes së procesit zgjedhor, Presidenti i Republikës Bujar Nishani priti në një takim, shefen e Misionit Monitorues të ODIHR-it për zgjedhjet lokale 2015 në Shqipëri ambasadoren Audrey Glover.

Gjatë takimit, Nishani theksoi rëndësinë që kishin këto zgjedhje në Shqipëri, në kontekstin e hartës së re administrative dhe përgjegjësive të reja që pritet të marrin drejtuesit e rinj të bashkive në vend. Kreu i Shtetit theksoi se zgjedhjet mbeten një test i përhershëm i maturimit dhe funksionimit të institucioneve dhe mekanizmave zgjedhore, klasës politike por edhe të përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë qytetare.

Ambasadorja Glover vuri në dukje se vullneti politik mbetet kyç në këtë proces, ndërkohë që ai mbetet i pakodifikueshëm në legjislacion. Ajo bëri me dije se bashkë me ekipin monitorues do të përmbyllin raportin në harkun e 8-10 javëve të ardhshme, duke reflektuar edhe rekomandimet për përmirësimin e mëtejshëm të proceseve të ardhshme zgjedhore në Shqipëri.

Duke bashkëndarë vlerësimet dhe shqetësimet e ekipit të monitorimit të ODIHR, të reflektuara edhe në raportin e ndërmjetëm të bërë publik, Presidenti Nishani sugjeroi disa rekomandime për t’u marrë parasysh në interesin më të mirë publik, duke shpresuar se adresimi në kohë i tyre do të kontribuojë më tej në përmirësimin e kulturës politike në Shqipëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat