Rama: 100 milionë dollarë në vit për bujqësinë

Shqipëria

Rama: 100 milionë dollarë në vit për bujqësinë

Më: 25 maj 2015 Në ora: 09:17

Qeveria do të vendosë çdo vit në mbështetje të bujqësisë një fond prej 100 milionë dollarësh. Premtimi është dhënë dje nga kryeministri Edi Rama, ndërsa prezantoi në Divjakë kandidatin për kryetar bashkie të Aleancës për Shqipërinë Evropiane, Fredi Kokoneshin. Duke risjellë në vëmendje projektet e vënë në zbatim, shumë prej të cilave kryeministri i vizitoi edhe dje, ai kërkoi votën e qytetarëve për kandidatët e së majtës, si një mundësi për të çuar këto projekte përpara. Rama ktheu një përgjigje edhe për deklarimet e demokratëve, duke pohuar se kërkesat e tij për të mos votuar kandidatët e SHQUP-it nuk janë kërcënime, por një kërkesë për të mos marrë në qafë veten dhe qytetin. Pas Divjakës, kryeministri Edi Rama u ndal në Roskovec, ku prezantoi kandidaten e Aleancës për Shqipërinë Evropiane, për këtë bashki, Majlinda Bufin.

Takimet

“Do të shpallim një program të ri në bashkëpunim me BERZH-in dhe një sërë bankash të nivelit të dytë, duke krijuar një mundësi prej rreth 100 milionë dollarë në vit që do të jetë në dispozicion të gjithë atyre sipërmarrje fermere që krijojnë zinxhir vlere dhe që krijojnë zinxhirë në rritjen e punësimit”, premtoi dje Rama nga Divjaka. Sipas kreut të qeverisë, ky 100 milionë dollarësh në vit do të jetë një fond, i cili do të jetë në dispozicion të të gjithë atyre sipërmarrësve që kanë një projekt, kanë një shumë parash, por duan që të kenë dhe një mbështetje financiare të ndarë, 50% sipërmarrësi, 50% shteti. “Pjesën që ka dhënë shteti deri sot ne duam të vazhdojmë ta japim po njësoj, duke mos e lënë sipërmarrësin në vështirësinë për t’u marrë vesh me bankën, për të paguar interesat, për të dhënë garancitë, por duke u bërë shteti garant dhe njëkohësisht duke marrë shteti përsipër pagesën e interesave”, sqaroi Rama.

Ai ritheksoi më tej domosdoshmërinë për të mbështetur gratë në këto zgjedhje, duke u shprehur i sigurt se në këtë mënyrë vendimmarrja do të jetë më cilësore. Rama ktheu një përgjigje edhe për deklaratat e bërë nga PD-ja, sipas të cilave, kryeministri po kërcënon zgjedhësit. “SHQUP-i thotë po na kërcënon Edi Rama, po i kërcënon demokratët, - se ju thotë po votuat për SHQUP-in, nuk do keni punë, nuk do keni ujë, nuk do keni drita nuk do keni bukë. E para, unë nuk i them kështu, e dyta, ku është kërcënimi këtu? Unë jua them copë, - Po votuat kandidatët e SHQUP-it morët veten dhe qytetin në qafë”, deklaroi ai.

Gjatë pasdites, kryeministri Rama prezantoi në Roskovec, Majlinda Bufin, ish-deputete e PS-së, që kërkon votat për të fituar përballë kryebashkiakut aktual demokrat Gëzim Çaushit. Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast ai theksoi se vota në 21 qershor është për familjen. “Tek kush duhet ta investojmë votën tonë që të mos kemi më thatësirë në tokën që zotëron familja jonë. Kujt duhet t’ia japim votën që të kemi një transport normal urban në bashkinë tonë, se sot nuk është më një bashki e vogël me një territor të vogël, por është një bashki e madhe me një territor ku njerëzit meritojnë të lëvizin normalisht dhe të kenë një transport publik normal. Po kush është njeriu të cilin duhet të votojmë për t’i dhënë më në fund zgjidhje problemit të plehrave. Këto janë problemet me të cilat merret bashkia. Këto janë problemet që zgjidhim ose nuk zgjidhim me votën e 21 qershorit. Këto janë problemet që duhet të trajtojë çdo familje përpara se sa të vendosi se për kë të votojë”, deklaroi ai.

E duke iu rikthyer sërish opozitës, Rama tha se demokratët kërkojnë të kthehemi ku ishim pa këtë hartë të re territoriale, që është garanci për më shumë zhvillim. “SHQUP-i thotë na jepni votën që të kthehemi aty ku ishim, ta grisim këtë hartë territoriale. Çfarë kuptimi ka të kemi një bashki të re në Roskovec, më mirë të kemi jo katër, por dhjetë komuna. Ndërkohë, asgjë për problemet me të cilat duhet të merret bashkia. Asgjë për problemet që duhet të zgjidhë vota e 21 qershorit.

Edhe sikur ta zëmë për një moment që hajde t’i dëgjojmë, por çfarë lidhje kanë këto probleme me bashkinë? Ku hyn Majlinda dhe kryetarja e bashkisë e Roskovecit me dritat apo me ndërtimet, apo me taksat, kur është fjala për ligjet dhe për rregullat që ka vendosur parlamenti. Atyre kjo nuk iu intereson, sepse atyre nuk iu intereson nëse mbas 21 qershorit këtu do të ketë një kryetar bashkie që do të punojë më mirë për të zgjidhur ato probleme që i takojnë baskisë”, tha ai. Veç prezantimit të kandidatëve kryeministri është ndaluar edhe në inaugurimin e një sëri investimesh të kryera në zonën Lushnjë-Divjakë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat