Incidenti në Vaun e Dejës, Meta: Të zbardhet e vërteta

Shqipëria

Incidenti në Vaun e Dejës, Meta: Të zbardhet e vërteta

Më: 22 maj 2015 Në ora: 20:09

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, reagoi pas incidentit të ndodhur sot pasdite në Vaun e Dejës, gjatë një takimi elektoral të kandidatit të opozitës për Bashkinë e Vaut të Dejës, Zef Hila.

Sipas të dhënave paraprake mësohet se ngjarja ka ndodhur pas një debati me fjalë mes një inspektori të policisë dhe vëllait të kandidatit demokrat, Zef Hila.

Sikurse raportoi për mediat, zëdhënësi i kandidatit Hila, pas këtij debati, punonjësi i policisë ka shtënë në ajër me pistoletë. Lidhur me këtë, ka reaguar edhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta i cili kërkon që organet kompetente të hetojnë pretendimet dhe të zbardhet e vërteta.

“Dënojmë çdo incident e konfrontim. Jo presioneve”, ka deklaruar Meta.

Partia Demokratike reagoi menjëherë përmes një deklarate, duke shprehur shqetësimin lidhur me këtë situatë. Ajo kërkoi nga Prokuroria që kjo e fundit të nisë hetimet për zbardhjen e çështjes.

"Partia Demokratike shpreh shqetësimin e thellë për ngjarjen e sotme në Vaun e Dejës kur një efektiv i policisë hapi zjarr me armën e shërbimit kundër vëllait të kandidatit të Partisë Demokratike në Bashkinë e Vaut të Dejës. Duke dënuar me forcë këtë akt, Partia Demokratike i bën thirrje prokurorisë të marrë të gjitha masat për zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë dhe vënien e autorit para drejtësisë".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat