Ish-deputeti i PD-së Sami Gjergji, i pandehur për mashtrim me kredinë

Shqipëria

Ish-deputeti i PD-së Sami Gjergji, i pandehur për mashtrim me kredinë

Më: 22 maj 2015 Në ora: 08:02

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Sami Gjergji, njëherësh administrator i një kompanie të prodhimit të vezëve, u përball dje në gjykatë me akuzën e “mashtrimit në kredi”. Ish-deputeti akuzohet nga një bankë e nivelit të dytë në Shqipëri, në të cilën në vitin 2010, ai ka marrë një kredi në shumën 1.1 milion euro, me qëllim blerjen e pajisjeve teknologjike te një shoqëri italiane për përmirësimin e aktivitetit të tij tregtar. Dhe me një pjesë tjetër të kësaj shume do të blinte një kredi të dytë në një institucion tjetër bankar. Por, siç rezultoi nga hetimi, shuma e marrë kredi nga i pandehuri nuk u përdor për planin e investimit për të cilën ishte marrë dhe pajisjet teknologjike për zgjerimin e biznesit nuk u blenë kurrë.

Në bazë të rregullave të bankës, kredia e marrë nga i pandehuri nuk do t’i jepej në rast se, ai do të deklaronte se e kërkonte për shlyerje borxhi. Në seancën e mbajtur dje në Gjykatën e Tiranës, si dëshmitarë u pyetën katër punonjës të bankës, në të cilën i akuzuari Sami Gjergji kishte marrë kredinë. Gjatë dëshmisë së tyre, ata treguan detaje mbi dokumentacionin e plotësuar nga i akuzuari për përfitimin e kredisë, si edhe procedurat që detyruan bankën të hapë proces gjyqësor ndaj tij, kur ky i fundit nuk zbatoi marrëveshjen e bërë me bankën. Nga hetimi ka rezultuar se Sami Gjergji ka konsumuar elementet e veprës penale të “mashtrimit në kredi”, pasi ka paraqitur të dhëna të rreme përpara bankës, lidhur me destinacionin dhe përdorimin e një kredie në vlerën prej 1.1 milionë euro, duke fshehur dhe mos vënë në dispozicion të saj listën e borxheve, që sipas marrëveshjes duhet t’ia kishte bashkangjitur aneksit të marrëveshjes.

Sipas akuzës, Gjergji ka përfituar kështu padrejtësisht kredinë në fjalë, me qëllimin e vetëm për të mos e kthyer më atë. Në dëshminë e tyre, punonjësit e bankës thanë se i akuzuari ka pamundësuar monitorimin financiar të kredisë nga ana e bankës dhe destinacionit të saj, duke mos paraqitur përpara punonjësve të bankës dokumentacionin e nevojshëm për këtë qëllim. Kredimarrësi Sami Gjergji ka bërë bankën të besojë se kredimarrësi kishte për qëllim rinovimin e teknologjisë së përdorur në aktivitetin e shoqërisë së tij dhe në mënyrë që të arrinte një gjë të tillë, ai kërkoi nga banka që ajo të financonte blerjen e pajisjeve dhe aksesorëve të përcaktuara në kontratën e shitjes së lidhur me shoqërinë italiane, duke i vënë në dispozicion asaj, ndër të tjera, edhe ofertën e shoqërisë italiane dhe faturën përkatëse të lëshuar nga kjo shoqëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat