Fshehu 4.6 milionë euro, kallëzohet penalisht Dritan Prifti

Shqipëria

Fshehu 4.6 milionë euro, kallëzohet penalisht Dritan Prifti

Më: 22 maj 2015 Në ora: 07:55

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave kallëzon penalisht ish-deputetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe ish-ministrin e Ekonomisë dhe Energjisë, Dritan Prifti. Në një deklaratë të bërë publike dje, Inspektorati sqaron se nga hetimi i bërë për periudhën 2003-2013 nuk janë justifikuar rreth 4.6 milionë euro. Emri i Priftit është lakuar disa herë për ngjarje që kanë të bëjnë me drejtësinë. Pak kohë me parë, ai u përfshi edhe në çështjen “Doshi”, ndërsa më herët u bë personazh qendror në media për regjistrimin në një video të Ilir Metës, duke e akuzuar për presione e dhënie ryshfetesh.

Deklarata

“Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave përfundoi kontrollin dhe rikontrollin e plotë të deklaratave të interesave private të subjektit Dritan Prifti, për funksionet ish-ministër dhe ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për periudhën kohore 2003 - 2013, nga ku rezultuan fshehje të pasurive, deklarime të rreme, kontrata fiktive pasurish, transferta bankare të dyshimta e pa burime të ligjshme financiare dhe dyshime për pastrim parash, brenda dhe jashtë vendit, në shumën rreth 4.600.000 euro”, njoftoi dje Inspektorati i Lartë. Sipas ILDKPKI-së, pas konstatimit të këtyre shkeljeve është bërë dhe kallëzimi penal. “Është dërguar kallëzimi penal në Prokurorinë e Përgjithshme për veprat penale të parashikuara nga nenet 257a//2 dhe 287 të Kodit Penal, duke insistuar që hetimet paraprake të shtrihen më tej, me qëllim për të zbuluar nëse ndodhemi edhe para veprave të tjera penale”, deklaroi ILDKPKI-ja. Prifti edhe më herët është akuzuar për fshehje pasurie. Ka qenë Partia Socialiste, e cila që në vitin 2010 ka vënë në pikëpyetje pasuritë e mëdha të vëna nga ish-ministri i Ekonomisë dhe Energjisë. “Si u pasurua me 1,8 milionë euro në një vit? Thjesht dhe vetëm duke qenë ministër? Apo duke shitur licenca? Në këtë kontekst pasurimi, selia rozë ka

ngritur zërin duke theksuar se “të jesh ministër i kabinetit Berisha, është biznesi më fitimprurës në Shqipëri”, ka qenë deklarata e deputetit të PS-së, Ervin Koçi, 5 vite më parë.

Deklaratat e pasurisë së Priftit tregojnë se vetëm gjatë vitit 2009, ai ka krijuar një pasuri prej 1.8 milionë euro nga shitja e aksioneve të kompanisë “Fortis 2”. Në vitin 2008, Dritan Prifti ka deklaruar se për fillimin e aktivitetit të tij privat në kompaninë “Fortis 2” më 1 maj të 2007-ës, është detyruar të marrë një borxh në shumën 30 mijë euro, që e ka shlyer një vit më pas. Përveç të ardhurave mujore, Dritan Prifti ka pasur në vitin 2008 një llogari bankare bashkë me të shoqen në shumën prej 11.8 mijë dollarë. Ndërsa në vitin 2008, Dritan Prifti kishte një pasuri minimale, një vit më vonë ai do të deklaronte se pasuria e tij kapte vlerën e 1.8 milionë eurove. Në deklaratën e pasurisë që Prifti ka bërë në vitin 2009 rezulton se nga kompania “Fortis 2” janë shitur aksione me 3 faza të ndryshme. Për një periudhë 10-mujore, nga data 24 shkurt 2009 deri më 4 dhjetor 2009 janë shitur 14.5 për qind e aksioneve me vlerë rreth 300 mijë euro. Ndërkohë marrëveshja e tretë që do t’i sillte përfitime marramendëse, vetëm tre muaj më vonë, do të shënonte shitjen e 30.5 për qind të aksioneve të mbetura me vlerën 1.5 milionë euro. Kjo marrëveshje u nënshkrua më 31 dhjetor 2009, datë që shënoi edhe mbylljen e pjesëmarrëses së çiftit Prifti si aksioner në kompaninë “Fortis 2”.

Këto pasuri të tij duket se do ta çojnë sërish Priftin në dyert e organeve të drejtësisë. Pak javë më parë ai dëshmoi në prokurori për çështjen “Doshi”, me të cilin është aksioner tashmë në një biznes. Ndërsa më herët është ndeshur me drejtësinë kur bëri publike një video ku ishte regjistruar një bisedë e tij me Ilir Metën, të cilën e përdori si provë për të akuzuar kryeparlamentarin e sotëm për presione e dhënie ryshfeti.

Reagon Prifti: Shifra të sajuara, Meta i kërkoi Ganajt të më kallëzojë

Dritan Prifti ka reaguar pas kallëzimit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave në Prokurori ndaj tij, për fshehje të pasurisë. Duke e quajtur këtë një mashtrim publik, ish­ministri i Energjetikës thotë se shifrat janë të sajuara.“Isha në takim me Albert Çaçin kur u njoftova. Ishte surprizë për mua, që kjo deklaratë erdhi sot. Meta ka thirrur Shkëlqim Ganajn, dhe i kërkoi të më kallëzojë mua, Doshin dhe Harasanin. Dhe Ganaj shpërfilli ligjin, dhe zbatoi urdhrat e Metës. Kam qenë i informuar më parë për këtë çështje, pasi më kërkuan informacion për pasurinë, dhe unë dorëzova dokumentet. I firmosa, dhe dokumentet do të dorëzoheshin deri më 30 qershor. Ky është persekutim politik dhe shpërdorim detyre, pasi nuk u lejua një proces normal. Ligji nuk parashikon kontroll mbi ish­zyrtarët e larguar prej dy vitesh. Paratë janë marrë me kredi për fabrikën e tullave. Kam fshehur 5 mijë lekë në llogarinë e djalit”, ironizon Prifti.

Sipas ish­ministrit të Energjitikës, ky kallëzim penal ndaj tij është ngritur për dy arsye. Së pari, ai thotë se kjo vjen pasi është mik i Doshit, dhe së dyti sepse i tremben kthimit të tij në politikë. “Ka dy arsye pse e bëjnë, e para se jam mik i Doshit, dhe arsyeja e dytë, sepse i tremben rikthimit tim në politikë. Kanë frikë, pasi mbështes Albert Çaçin. Po po, kanë frikë se nëse rikthehem në politikë u dalin pisllëqet. Meta ka prona në tre kontinente, por askush nuk heton. Pyes Metën, a ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit, se ne nuk na trembin duke rikthyer kohën e diktaturës”, thotë Prifti. Ndërsa është shprehur se mbështet kandidaturën e Albert Çaçit, Prifti thotë se pas fitores së tij do të rikthehet në politikë. Prifti shprehet se “do deklarojmë në autoritetet ndërkombëtare shkeljet e Metës”. “Premtoj se do ta mund një ditë Metën”, - tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat