Gjika në Prokurori: Librin e protokollit ma vodhën në zyrë

Shqipëria

Gjika në Prokurori: Librin e protokollit ma vodhën në zyrë

Më: 28 prill 2015 Në ora: 08:34

Kreu i Bashkisë së Vlorës pyetet si person nën hetim dhe për librin e protokollit të mbledhjeve të KRRT-së, që nuk gjendet. Gjika thotë se ky libër është vjedhur nga banorët që protestuan pranë zyrës së tij më 29 janar të këtij viti, por nuk ka bërë kallëzim në polici për vjedhje.

Pasi ka refuzuar disa herë t’i dorëzojë prokurorisë librin e protokollit të mbledhjeve të KRRT-së së Vlorës, kryebashkiaku nën hetim ka pohuar në prokurori se ky libër është vjedhur. Këtë dëshmi Gjika e ka dhënë në një nga seancat e pyetjeve përballë prokurorit të çështjes, ku ai është paraqitur si person ndaj të cilit zhvillohen hetimet për një leje ndërtimi të dyshuar si të falsifikuar. Për këtë akuzë ndaj Gjikës u lëshua edhe një urdhër-arresti, i cili u ekzekutua, por pas problemeve shëndetësore u shfuqizua nga e njëjta gjykatëse.

Në kuadër të hetimeve, prokuroria i ka kërkuar disa herë kryebashkiakut të Vlorës të vërë në dispozicion të hetimit edhe librin e protokollit të mbledhjeve, ku pretendohet se është shënuar edhe vendimi për dhënien e lejes së ndërtimit. Burime të prokurorisë pohojnë se në dëshminë e tij, Gjika ka thënë se ky libër është vjedhur më 29 janar, ditë në të cilën janë futur me forcë në bashki protestuesit e rrugës Trans-Ballkanike që kundërshtonin shpronësimet.

Protestuesit që hynë me forcë më 29 janar u pritën edhe nga vetë Gjika, por ende mbetet e paqartë se si këta kanë arritur të vjedhin librin e protokollit siç pretendon kreu i bashkisë në dëshminë e tij. I pyetur nëse e ka denoncuar këtë ngjarje, kryebashkiaku ka deklaruar se ka dashur të kallëzojë në polici, por për shkak të angazhimeve të shumta, nuk ka mundur ta kryejë këtë veprim.

Por, pavarësisht pretendimeve të kryebashkiakut se ky dokument është vjedhur në zyrën e tij, prokuroria ka ndjekur të gjitha procedurat dhe disa herë me radhe e ka kërkuar atë në formë zyrtar. Madje pas arrestimit të Gjikës dhe dy personave të dyshuar si të përfshirë në ngjarje, prokuroria ushtroi kontroll në zyrën e kryetarit të bashkisë së Vlorës, por sërish nuk mundi të gjejë librin e protokollit të mbledhjes ku pretendohet se është miratuar leja për pallatin 11-katësh.

Burime të prokurorisë thonë se akuza e disponon një kopje të njehsuar me origjinalin të Librit të Protokollit të KRRT-së Vlorë, pasi ky akt është administruar në vitin 2013 për llogari të një tjetër hetimi. Sipas përmbajtjes së protokollit rezulton se në mbledhjen kur pretendohet se është miratuar leja e ndërtimit, nuk pasqyrohet asnjë vendim për leje apo shesh ndërtimi për një pallat 11-katësh për llogari të kompanisë në pronësi të Artur Haxhit.

Shpëtim Gjika u arrestua më 6 shkurt së bashku me vartësen e tij, Doriana Sulaj dhe biznesmenin Artur Haxhi, dhe u akuzuan se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin falsifikuar dokumentacionin për ndërtimin e objektit 11-katësh në lagjen ‘Hajro Cakërri’ të Vlorës, që është vendosur nën sekuestro preventive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat