Rama: Azili në Gjermani është keqkuptuar, do ta frenojmë si bëri Kosova

Shqipëria

Rama: Azili në Gjermani është keqkuptuar, do ta frenojmë si bëri Kosova

Më: 23 prill 2015 Në ora: 12:29

(E plotësuar) Përtej projektligjeve dhe rendit të ditës, Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të shmangte sot çështjen e largimit të shqiptarëve në Gjermani dhe në vende të tjera të BE-së. Kërkesa në rritje e qytetarëve shqiptarë për azil është kthyer në një debat të ashpër sot në seancën e Kuvendit.

Është hera e parë që kryeministri Edi Rama prononcohet publikisht për këtë çështje dhe lidhur me shkakun pse po largohen shqiptarët ai tha se është një keqkuptim i shfrytëzuar nga elementë kriminalë. Sipas tij bëhet fjalë për një informacion të mbërritur nga Gjermania se kërkon 45 mijë të huaj me profesione të caktuara, por kjo nevojë u keqkuptua nga njerëzit të cilët menduan se u hapën dyert për të gjithë.

Ai e quajti situatën të ngjashme me Kosovën, ku pak muaj më parë edhe aty ndodhi e njëjta gjë me qytetarët, por fluksi është frenuar. Ndërkohë që momentalisht, në situatën e Shqipërisë, ndoshta edhe më keq, ndodhet edhe Serbia.

“Pse po ikin shqiptarët? Kemi të bëjmë me një moment kur ka një keqkuptim të madh nga njëra anë i krijuar në raport me një nevojë të shpallur të Gjermanisë për rreth 45 mijë të huaj por me profesione të caktuara dhe për arsye të caktuara të ekonomisë gjermane, dhe mbi këtë keqkuptim ka hyrë në veprim elementi kriminal. Dhe mjafton të shikojmë në vendet fqinje dhe kemi të njëjtën situatë. Largimet në Kosovë të cilat ndodhën në kohë paralele, sot janë amortizuar. Çfarë ka ndodhur? Ka ndryshuar ekonomia e Kosovës brenda disa javëve? Jo! Është frenuar fluksi i stimuluar nga veprimtaritë kriminale. Ndërkohë që, po të shikojmë në rajon, kemi Serbinë që ka një trend në rritje shumë më të lartë se i yni në disa vite dhe ka një largim shumë më masiv se i yni sot që po flasim. Askush nuk e ka mohuar. Dhe është turp që këtë fakt ta lidhni me këtë qeveri. Ne nuk kemi marrë përsipër të bëjmë Shqipërinë parajsë, por ne kemi bindje të plotë se Shqipëria po shkon në drejtimin e duhur, dhe shqiptarët nuk janë dele që ju të bëni bariun. Jam absolutisht i gatshëm që bashkërisht ta presim gjykimim e shqiptarëve, kur të doni ju, në 21 qershor, apo mbas dy vjetësh," tha Rama.

Për këtë çështje reagoi edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili akuzoi Ramën si përgjegjës për ikjen e qytetarëve nga Shqipëria, pasi rriti taksat, hoqi ndihmën ekonomike, dhe u shkatërroi bizneset. Në këtë pikë Berisha e ftoi Ramën të ndjekë shembullin e Tsipras në Greqi në raport me shtresat e varfëra. Berisha shtoi se ekonomia shqiptare është në prag të rrokullisjes.

Kuvend: Berisha-Ramës: Ç’të keqe tjetër do i bësh shqiptarëve?

Debate në Kuvend ku po diskutohet pr/ligji për energjinë, pjesë e së cilës parashikon dhe sekuestro të banesave nëse nuk paguhet energjia.
Ish kryeministri Sali Berisha akuzoi qeverinë se vazhdon t’u sjellë të keqen shqiptarëve, dhe një prej tyre është dhe miratimi i këtij ligji.
Sali Berisha: “I mblodhe kriminilet qelbërisa të të gjitha llojeve dhe i ke vendosur në qeveri të qeverisësh me ta. Liron ata që shkrehën kallashët mbi komisariat vetëm për një marrëëveshje. C’të keqe do ti bësh veç ti përzësh me mijëra për të nxjerrë papagajtë e tu për të thënë se kanë ikur.
Po ikën Crown Agent se ka kontrabandë. Sepse në Korçë u fut vetura e mamasë së deputetit. Se edhe mamatë i keni me vetura luksoze. Ti fusin me doganë të lutem shumë (thotë Berisha duke iu drejtuar deputetëve). Gjysma e mamave të tua marrin pensionin e Tsipras.

I fale CEZ-it se të mbushi xhepat, mos e mbaj të fshehtë nxirre këtu. Atë e kishim çështje të fituar por duheshe të ndaje para. Dhe të firmosje një nga marrëveshjet më të korruptuara. I fale gjobat që i vuri me matësat. I fale transferat e parave I bëre gjëmën energjisë. Me këtë ligj do ia marrësh shtëpinë nëse nuk paguan energjinë.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat