Zgjedhjet, Meta: S’kemi pakt me PS-në për bashkitë

Shqipëria

Zgjedhjet, Meta: S’kemi pakt me PS-në për bashkitë

Më: 2 mars 2015 Në ora: 12:21

Mes PS-së dhe LSI-së për ndarjen e posteve të bashkive nuk ka ende asnjë marrëveshje. Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, përgënjeshtroi lajmin e një pakti mes dy forcave të mazhorancës për ndarjen e zonave elektorale, për zgjedhjet vendore të 21 qershorit.

Meta ka thënë sot se nuk ka akoma një marrëveshje me Partinë Socialiste për kandidatët e zgjedhjeve lokale.

Kreu i LSI-së është shprehur se nuk ekziston koncepti i ndarjes së zonave apo bashkive. “Nuk ekziston koncepti i ndarjes së zonave, por koncepti i mënyrës së përzgjedhjes së kandidatëve,” tha Meta.

I pyetur në lidhje për diskutimet me PDIU-në për t’u bërë pjesë e koalicionit në zgjedhjet e 21 qershorit, Meta u përgjigj se nuk mund të flas për gjëra për të cilat nuk më takon të shprehem. “Deri tani nuk jam në dijeni për një diçka të tillë”, komentoi ai.

E djathta do ketë kontrollin e KQZ-së

Kur vetëm 3 muaj na ndajnë nga zgjedhjet vendore, mazhoranca i ka hapur rrugën opozitës, duke i dhënë asaj të drejtën për riformatimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në këtë mënyrë, opozita do të ketë shumicën në institucionin e KQZ-së.

Kështu konfirmoi sot kryeparlamentari Ilir Meta, në një aktivitet në kuadër të zgjedhjeve lokale. Meta theksoi se mbajtja e zgjedhjeve demokratike kërkon bashkëpunim politik. Sipas tij, pavarësia e institucionit të KQZ-së, është kusht për zgjedhje me standarde.

“Mazhoranca e sotme, ndryshe nga mazhoranca e kaluar nuk bëri ndryshime në ligjin zgjedhor në formulën e përbërjes së KQZ-së, u hoq dorë nga parimi, që mazhoranca që ka përgjegjësi për zgjedhjet, duhet të ketë gjithmonë mazhorancën edhe në KQZ. Kjo mazhorancë duke besuar se vetëm transparenca në KQZ mund të sigurojë administrimin e rregullt të procesit zgjedhor, garantoi edhe një herë parimin e qëndrueshmërisë në këtë institucion”,- theksoi Meta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat