Studentët grevistë takim me Presidentin: S'jemi në luftë me policinë

Shqipëria

Studentët grevistë takim me Presidentin: S'jemi në luftë me policinë

Më: 2 mars 2015 Në ora: 12:20

Studentët grevistë të transferuar nga shkollat private zhvilluan sot një takim me kreun e shtetit, Bujar Nishanin.

Takimi u planifikua një ditë parë, pasi greva e nisur prej tyre u ndërpre nga ana e efektivëve të policisë.

Këta studentë të Mjekësisë janë transferuar nga universitetet private të cilat janë mbyllur nga Ministria e Arsimit, pasi nuk akne plotësuar kriteret ligjore. Takimi me Presidentin u mbajt në orën 10:00 dhe ka zgjatur për rreth 1 orë e 15 minuta.

Pas këtij takimi studentët kanë deklaruar për mediat se presidenti Nishani u dha garanci për mbrojtjen fizike dhe ligjore. Studentët theksuan se po shqyrtojnë mundësinë për të vijuar grevën, deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

“Presidenti mbajti një qëndrim shumë mbështetës brenda ligjor. Tha se do të lajmërojë organet kompetente për këtë, do të komunikojë me prokurorin e përgjithshëm. Na tha të mos kemi asnjë ndrojtje për çështjen më të vogël. Kemi parë mundësinë e vijimit të grevës, deri në plotësimin e kërkesave tona", deklaroi një nga studentët.

Një tjetër student tha se ata kërkojnë të marrin të njëjtin trajtim, si dhe paguajnë njësoj si studentët e tjerë. "Përfaqësojmë vetën tonë jo partitë politike, ne nuk jemi në luftë me policinë. Kërkojmë trajtim të barabartë me studentët e tjerë dhe ulje të tarifave. S’kemi firmosur asnjë kontratë me Ministrinë e Arsimit", tha një tjetër student.

Ndërkohë marrëveshja mes Ministrisë dhe studentëve është bërë menjëherë pas mbylljes së universiteteve private, kur ishin këta të fundit që pranuan të paguanin një tarifë më të lartë se studentët e publikut.

Në thelb të kërkesave të këtyre studentëve të ardhur nga universitetet private të mbyllura me vendim qeverie, ishte trajtimi i njëjtë me pjesën tjetër të universitetit publik sa u përket tarifave.

Ndërkohë që i është shtuar kësaj edhe akuza ndaj policisë, pasi sipas tyre gjatë aksionit të policisë për t'i nxjerrë nga greva është ushtruar dhunë.

Policia ndërpreu dje grevën e studentëve të Universitetit të Mjekësisë, pas kërkesës së Rektoratit për lirimin e menjëhershëm të ambienteve të Fakultetit të Shkencave Mjekësore dhe Teknike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat