Gjiknuri: Shtyhet afati deri në 31 mars për kreditorët e OSHEE-së

Shqipëria

Gjiknuri: Shtyhet afati deri në 31 mars për kreditorët e OSHEE-së

Më: 27 shkurt 2015 Në ora: 14:57

Shtyhet deri në 31 mars afati për shlyerjen e pagesave të prapambetura të energjisë elektrike. Vendimi është bërë publik të premten, në një konferencë të përbashkët për shtyp, nga ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri dhe administratori i OSHEE-së, Ardian Çela.

Duke e konsideruar vjedhjen e energjisë si një nga fenomenet më kërcënuese për stabilitetin e vendit, Gjiknuri tha se operacioni i ndërmarrë nga qeveria ka patur rezultate pozitive. Ministri Gjiknuri u shpreh se është konstatuar se qytetarët i janë përgjigjur thirrjeve të vazhdueshme për pagesën e faturave debitore dhe se në situatën e krijuar ku njerëzit po mbajnë radhë të gjata për të paguar dritat, atëherë është parë e udhës shtyrja e afatit edhe për një muaj. “Të gjithë qytetarët që rezultojnë debitorë nda OSHEE-së do të kenë mundësinë që deri me 31 mars të paraqiten në zyrat e kompanisë për të lidhur aktmarrëveshjen me kushte lehtësuese. Janë 283 mijë abonentë tqë kanë firmosur aktmarrëvesje dhe më shumë se gjysma e tyre ka prëfituar uljen me 80 % të kamtvonesës”, deklaroi ai. Këto masa, tha ai, kanë sjellë mbi 100 milion dollarë më shumë arkëtime dhe një reduktim humbjesh prej 7.3 % në tre muajt e fundit. “Rikthimi i besimit në sektorin energjitik materializohet edhe nga interesi i kompanive prestigjioze siç ishte firmosja e marrëveshjes së bashkëpunimit për krijimin e konsorciumit të ndërtimit të linjës së interkonjeksionit të energjisë elektrike mes Shqipërisë dhe Italisë, me drejtuesit e kompanisë gjermane “Max Streicher” . Fimosja e kësaj marrëveshje tregon kthimin e besimit tek potencialet energjitike të Shqipërisë dhe tek mbarëvajtja e kësaj reforme energjitike”, deklaroi ministri. Gjiknuri u ndal edhe tek rritja e cilësisë së shërbimit të kompanisë OSHEE ndaj qytetarëve. “Anullimi i mijëra faturave të trashëguara abuzive është prova e thellë se sjellja e kompanisë ka filluar të ndryshojë”, u shpreh ai.

Nga ana e tij, administratori i OSHEE-së, Adrian Çela u shpreh se shtesa e afatit me 31 ditë është mundësia e fundit për të paguar faturat. Kreu i OSHEE-së, Çela bëri të ditur disa të dhëna ku theksoi se që nga 6 dhjetori dhe deri më 26 shkurt janë lidhur 233 486 aktmarrëveshje me abonentë debitorë familjarë, nga të cilat 139 302 kanë likuiduar tërësisht borxhin duke përfituar faljen në 80% në të kamatëvonesave. Sipas tij, vlera totale që është futur në aktmarrëveshje është 42.6 miliardë lekë, nga të cilat 5.2 është shlyer menjëherë. Për të iu ardhur në ndihmë qytetarëve, theksoi Çela, kompania është përgjigjur me hapjen e rreth 50 sporteleve të reja.

Çela bëri të ditur edhe një skemë të re lehtësuese për bizneset debitore, e cila do të hyjë në fuqi më 31 mars dhe që do t’u mundësojë bizneseve pagesën me këste të detyrimeve të prapambetura të energjisë elektrike.

“Nga data 31 mars OSHEE do të vërë në fuqi një skemë të re lehtësuese për bizneset për shlyerjen e detyrimeve me 6 këste deri në datën 31 dhjetor të vitit 2015.” tha Çela. Afati i deritanishëm i datës 28 shkurt për pagesën e detyrimeve të prapambetura të energjisë elektrike kishte krijuar radhë të gjata në sportelet e OSHEE-së, pasi deri në këtë datë, qytetarët kishin mundësi që të përfitonin falje 80% të kamatëvonesave

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat