Kritikat e Doshit, Kokëdhima: Nuk do të ketë probleme

Shqipëria

Kritikat e Doshit, Kokëdhima: Nuk do të ketë probleme

Më: 27 shkurt 2015 Në ora: 07:50

Deputeti socialist Tom Doshi ka përsëritur edhe dje kritikat e tij ndaj kabinetit qeveritar, ndërsa ka theksuar se qëndrimet e tij nuk janë personale për kryeministrin, por një kërkesë llogarie ndaj premtimeve të dhëna. Por këto kritika të tij konsiderohen si normale mes radhëve të socialistëve. Sipas deputetit Koço Kokëdhima, i cili pas një diskutimi në seancë plenare edhe drekoi me deputetin Doshi, debatet dhe pakënaqësitë brenda PS-së, janë normale dhe nuk do të shkaktojnë probleme. Kokëdhima vlerësoi punën e deputeti të Shkodrës, ndërsa theksoi se do të vazhdohet puna e përbashkët në interes të qytetarëve.

Reagimet

“Me Tom Doshin kaluam shumë mirë, jemi kolegë nuk e kam drekën e parë me të. Sigurisht që gazetarët janë të interesuar të dinë nëse atë moment që është prezantuar në publik nga Toma, kur ai ka pasur disa mërzitje, të shërbejë për ndonjë konflikt brenda nesh, kjo nuk do të ndodhë”, - deklaroi Kokëdhima. Ai theksoi se këto diskutime nuk do të pengojnë punën e përbashkët në interes të qytetarëve. “Kemi prioritet interesat e qytetarëve, të zgjedhësve tanë. Jemi shqiptarë, jemi ballkanas, kemi dhe ato gjaknxehtësitë, kemi lëndimet tona. Ndonjëherë përfshihemi në ndonjë pakënaqësi, në ndonjë emocion negativ, por nuk do të ketë probleme. Toma është deputet i Partisë Socialiste që ka punuar me pasion për vite me radhë, është pjesë e jona dhe do të punojmë bashkë me të dhe gjithë deputet e tjerë për t’u qëndruar kërkesave që ka publiku dhe për të përballuar sfidat e qytetarëve tanë për një ekonomi më të mirë, për një jetë më të mirë, për një shoqëri më të mirë”, - deklaroi Kokëdhima për “News24”.

Pohimet e tij u bënë pas drekës me socialistin e Shkodrës i cili edhe dje përsëriti kritikat për kabinetin qeveritar. “Do t'i bëj me dije Edi Ramës që qysh sot e mbrapa mes meje dhe tij nuk ka më paqe dhe do ta shohë se kush është i humbur prej kësaj lufte. Çdo gjë do t'ia bëj publike, por edhe ai t'i bëjë publike ato çfarë thotë ai që unë e kam bërë për interesat e mia. Kur të flas unë më tepër do të dridhen themelet mazhorancës dhe Qeverisë”, - tha deputeti socialist. Doshi shtoi se oponencën kundrejt Qeverisë nuk e po bën për interesa personale, por për shkak se zona e tij nuk ka marrë asnjë investim. Deputeti i Shkodrës tha se nuk do të iki nga Partia Socialiste, duke mohuar në këtë mënyrë zërat se një ditë më parë ai është takuar me ish-kreun e demokratëve, Sali Berisha.

“Nuk kam lidhje me zotin Berisha. Edi Rama e di shumë mirë që edhe Berisha dhe Topalli nuk kanë fituar luftën me mua, jo më Edi Rama. Lufta brenda llojit është si kanceri që nuk gjen shërim”, tha Doshi. Dy ditë më parë, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së, deputeti Doshi ka kërkuar që të bëhet një analizë për punën e qeverisë, por dhe konsultim për garën e ardhshme elektorale. Sipas tij, kjo analizë është e nevojshme pas një viti e gjysmë qeverisje. Kërkesa e tij është shoqëruar edhe me kritika për ministrat që sipas Tom Doshit, nuk u hapin as telefonat deputetëve. Mësohet se Doshi ka pohuar se komunikimi me deputetët nuk duhet të bëhet vetëm për fushata elektorale. Shqetësimet e tij janë adresuar për kryeministrin Edi Rama, edhe pse ai nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar socialist. Në mungesë të tij, përgjigja ka ardhur nga kryetari i Grupit Parlamentar të PSsë, Gramoz Ruçi i cili ka pohuar se do t’i përcjellë këto shqetësime zyrtarisht edhe pse ka shtuar që Kryeministri ka qenë i pranishëm në çdo mbledhje tjetër, por nuk ka pasur të tilla pretendime.

Ndreu dhe Cara

Deputetët socialistë, Pjerin Ndreu dhe Parid Cara i konsiderojnë deklaratat e Tom Doshit si tregues të demokracisë në PS.

“Secili deputet ka të drejtën e vet të deklaratave. Ne kemi të tjera probleme sot. Nëse një ministër nuk hap telefonin nuk është problemi i Partisë Socialiste. Problematika e elektoratit është shqetësimi ynë. Ka raste ku jo të gjithë janë të kënaqur, por kjo nuk duhet të na shkaktojë turbullime, apo të ngremë akuza ndaj askujt. Mua nuk më rezulton që ndonjë ministër të jetë sjellë keq”, - ka pohuar ai për “TCH”.

Ndërsa deputeti i Kavajës, Parid Cara nuk i shikon si shqetësuese zërat kritikë brenda Partisë Socialiste. “Unë kam qenë pjesë e takimit të deputetëve. Gjithsecili nga ne në Partinë Socialiste ka të drejtë shprehjen e mendimit të tij. Këto deklarata nuk mendoj që janë shqetësuese, por mendoj që janë konstruktive. Duhet të përqendrohemi te zgjedhjet e 21 qershorit dhe të dalim me sukses prej tyre”, - tha Cara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat