Basha: Rezistencë ndaj arrogancës dhe shurdhërisë së pushtetit

Shqipëria

Basha: Rezistencë ndaj arrogancës dhe shurdhërisë së pushtetit

Më: 1 shkurt 2015 Në ora: 14:08

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha reagoi të dielën lidhur me aksionin e INUK-ut në Vlorë, të hënën.

Në një postim në rrjetin social ‘Facebook’, Basha thotë se bandat represive të Ramës po terrorizojnë mbi 500 banorë të Vlorës.

“4 ditë kohë ju kanë dhënë të dalin nga shtëpitë e një jete, të ndërtuara 10 deri ne 25 vjet më parë. Duan të shembin pa dëmshpërblim mbi 120 banesa dhe të flakin mes katër rrugëve fëmijë, pleq, burra dhe gra të pambrojtur’, shkruan kreu i PD-së.

Basha thotë se këto forca të shkatërrimit të pronës të grupuara si ish-INUK nuk funksionojnë në bazë të asnjë ligji. Kjo strukturë e jashtëligjshme ka shkatërruar pa asnjë vendim, pa asnjë letër shteti mbi 350 milion dollarë prona të qytetarëve në të gjithë vendin.

“Jemi në krah të vlonjatëve. Të rezistojnë ndaj së keqes, të mbrojnë pronën dhe familjen. Mos të lëvizin nga shtepitë pa vendime të institucioneve dhe pa folur drejtësia. Vetëm diktaturat shkelin ligjin, shkelin mbi jetën dhe pronën e njerëzve”, shprehet ai.

Kreu i selisë blu thekson se kjo nuk do të tolerohet më në Shqipëri. “Kemi luftuar në 20 vjet të shenjtërojmë pronën, të shenjtërojmë supremacinë e qytetarit dhe jo sakrifikimin e tij për tekat dhe arrogancën e shurdhër të Ramës me kompani”, shkruan ai.

Partia Demokratike e siguron kryedhunuesin e ligjit dhe ushtarët e tij, vijon Basha, se nuk do i shpëtojnë drejtësisë. Sipas tij, ka ardhur koha të paguajnë për dhimbjet që po u shkaktojnë shqiptarëve. “Të gjitha faktet dhe dëshmitë do mblidhen për një proces gjyqësor si nuk e ka parë kurrë historia e këtij vendi. Nuk do të shpëtojë asnjë birbo që zëvendëson shtetin ligjor me shtetin personal të dhunës dhe paligjshmërisë”, shkruan Basha në ‘facebook’. Inspektoriati Ndёrtimor Urbanistik Kombёtar njoftoi se do tё nisё tё hënën, planin e punёs nё Vlorё, nё zbatim tё Vendimit tё Kёshillit tё Ministrave, pёr ndёrtimin e rruges se re te Vlores.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat