Rama: Investimi në laboratorin e IQT-së, ndihmë për të luftuar çdo spekulim me cilësinë e naftës

Shqipëria

Rama: Investimi në laboratorin e IQT-së, ndihmë për të luftuar çdo spekulim me cilësinë e naftës

Më: 29 janar 2015 Në ora: 12:04

Kryeministri Edi Rama deklaroi të entjen se investimi në labaratorin e Inspektoriatit Qendror Teknik do të ndihmojë për të luftuar çdo spekulim me cilësinë e naftës.

Kreu i Qeverisë, Rama, inspektoi laboratorin e rikonstruktuar të Inspektoriatit Qendror Teknik, ku në vitin 2014 është bërë një investim prej 55 milionë lekë për rikonstruksionin e godinës të laboratorit dhe investimin teknologjik. Konsumatori, tha kryeministri Rama në fjalën e tij, do të shohë dhe do të ndjejë në vijimësi një përmirësim rrënjësor të cilësisë dhe të kontrollit nga shteti të të gjitha pikave të karburanteve. “Investimi në këtë laborator na siguron që të kemi një strukturë shumë kompetente për të luftuar çdo spekulim me cilësinë e naftës”, u shpreh Kryeministri. Rama vuri në dukje se janë planifikuar një sërë hapash të tjerë për kontrollin online për të shmangur evazionin dhe manipulimin me cilësinë. “Në fund të këtij viti do të mund t’i themi shqiptarëve se makina e tyre nuk është më ë kërcënuar nga mungesa e cilësisë së karburantit”, siguroi Kryeministri.

Do të kemi, tha ai, më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit nga kjo industri që po vihet në binarë pas një dekade rrënimi.

Ndërsa ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, u shpreh në fjalën e tij se ky laborator është kthyer në një laborator modern që do t’i vlejë edhe rajonit. Në shkurt, tha ai, është afati i fundit për t’u akredituar impiantet e përpunimit të hidrokarbureve.

Drejtoresha e IQT-së, Ejana Xhixho, theksoi në fjalën e saj se laboratori i IQT-së ofron tashme 58 metoda analizimi të akredituara me aparatura të çertifikuara ndërkombëtarisht, një laborator me standarde europiane në teknologji. Gjatë vitit të kaluar në këtë laborator janë kryer 6275 analizime. Sipas saj, laboratori ka hyrë në procesin e akreditimit ndërkombëtar. “Do të jetë laboratori i parë në Ballkan i akredituar”, deklaroi Xhixho.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat