Beqaj, apel qytetarëve për kontroll shëndetësor falas

Shqipëria

Beqaj, apel qytetarëve për kontroll shëndetësor falas

Më: 20 dhjetor 2014 Në ora: 19:10

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj u bëri thirrje qytetarëve të grupmoshës 40-65 vjeç që të paraqiten në qendrën e tyre shëndetësore për kontroll shëndetësor falas. “Programi i Kontrollit Pa Pagesë është deklaruar që në Programin e Qeverisë, që përfshin grupmoshën 40-65 vjeç, kur provohet shkencërisht që është një moshë që shfaqen sëmundje të ndryshme, në mënyrë që t’i diagnostikojmë në stad sa më të hershëm, që pastaj, të kemi më pak kosto për shëndetin, për ekonominë, për familjen, kosto sociale”, deklaroi Beqaj.

Ministri ishte i pranishëm në aktivitetin e organizuar sot në shehin “Nënë Tereza”, nga institucioni që ai drejton, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Instituti i Shëndetit Publik, në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese dhe informimit publik. Organizatorët pedaluan përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, me biçikleta, duke ftuar të gjithë qytetarët shqiptarë të grupmoshës 40-65 vjeç, që një herë në vit, të paraqiten në qendrën e tyre shëndetësore pranë vendbanimit dhe të kryejnë kontrollin shëndetësor bazë pa pagesë.

"Kontrolli Shëndetësor Bazë" është një program kombëtar, pa pagesë për përfituesit e tij, që synon depistimin e popullatës për faktorët e rrezikut dhe sëmundshmërinë më prevalente me qëllim kujdesin për shëndetin, parandalimin e sëmundjeve dhe komplikacioneve, zbulimin e hershëm të çrregullimeve, mjekimin në fazat e hershme dhe përmirësimin e kulturës shëndetësore, prej të cilit do të përfitojnë të gjithë shtetasit e grupmoshës 40-65 vjeç me qëndrim të përhershëm në Shqipëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat