Projektligji i 30 deputetëve, Guvernatori edhe i huaj

Shqipëria

Projektligji i 30 deputetëve, Guvernatori edhe i huaj

Më: 28 nëntor 2014 Në ora: 10:41

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, ligjërisht mund të jetë edhe i huaj. Pra jo me shtetësi shqiptare. Kjo pasi projektligji i propozuar nga një grup deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, kërkon që të ndryshohet neni 44, pika 3 e ligjit për Bankën e Shqipërisë. Sipas projektligjit, të huajt mund të hyjnë në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr 8269 për Bankën e Shqipërisë””, të ndryshuar, propozohet nga një grup deputetësh, në mbështetje të nenit 81, pika 1 dhe 2, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Përmes këtij propozimi kërkohet shfuqizimi i fjalëve “shtetas të Republikës së Shqipërisë” në pikën 3 të nenit 44, të ligjit për Bankën e Shqipërisë”. Në relacionin që shoqëron këtë projektligj, shpjegohet: “Kushtetuta e Shqipërisë, në nenin 161, pika 2, përcakton: “Banka e Shqipërisë drejtohet nga një këshill, i cili kryesohet nga Guvernatori, Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhje.”

Neni 44, pika 3 e ligjit për Bankën e Shqipërisë përcakton: “Kandidatët për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës duhet të jenë shtetas të Republikës së Shqipërisë, persona që gëzojnë ndershmërinë dhe pastërtinë morale, si dhe kanë ...” Në kushtet kur, Kushtetuta nuk përcakton si kriter për zgjedhjen e Guvernatorit apo anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, shtetësinë shqiptare, atëherë nuk ka pse ky kufizim të jetë në ligj.” Më tej relacioni vijon: “ Referuar Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi është i vetmi organ që ka si tagër të vetën plotësimin e kuadrit ligjor sipas formës dhe përmbajtjes që i takon çdo organi ose institucioni që do të ushtrojë veprimtarinë e vet në një shtet të së drejtës. Qëllimi i këtij propozimi është pikërisht harmonizimi i dispozitës përkatëse ligjore, nenit 44 të ligjit, me dispozitën konkrete Kushtetuese, nenin 161 të Kushtetutës”.

Sqarohet gjithashtu se ky projektligj nuk ka efekt financiar që ndikon në buxhetin e shtetit, si dhe hyn në fuqi 15 ditë pasi botohet në Fletoren Zyrtare. Debatet për një Guvernator shqiptar apo të huaj, kanë filluar menjëherë pas largimit nga detyra të Ardian Fullanit. Ky debat ka qenë pjesë e tavolinave të diskutimit jo vetëm në nivel ekspertësh por edhe në nivel qeveritar. Për të arsye ka qenë edhe debati mes Presidentit të Republikës, Bujar Nishani dhe Kryeministrit të vendit Edi Rama. Në rast se ky projektligj do të miratohet atëherë hapet rruga që Guvernatori i Bankës së Shqipërisë të jetë shtetas i një kombësie tjetër.

Kur do të plotësohet këshilli

Që ky projektligj të bëhet ligj, do të ketë më shumë se një muaj. Këshilli i Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë do të vazhdojë të jetë me 4 anëtarë. Kjo sepse sipas rregullave, ky projekt ligj sapo ka hyrë në axhendën parlamentare do të diskutohet në komisionet parlamentare. Sipas axhendës të publikuar, për tre javët në vijim, ky projektligj nuk do të jetë pjesë e diskutimeve. Pasi të dali nga diskutimet në komisione, do të kalojë për votim në Parlament. Me një llogari të thjeshtë, Këshilli Mbikëqyrës, do të plotësohet me anëtarë në fillim të vitit 2015. Ndërsa debati se kush do të jetë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë do të bëhet pas kësaj periudhe. Më tej, diskutimi nëse kreu i thesarit të vendit do të jetë shqiptar apo i huaj do të marrë formën ligjore, pasi deri tani ka qenë i jashtëligjshëm, pasi Kushtetuta e Shqipërisë dhe kryesisht ligji për Bankën e Shqipërisë, përveç cilësive morale dhe integritetin e anëtarit të këshillit, duhet të jetë shqiptar.

Nismëtarët e projektligjit

Erion Braçe, Ulsi Manja, Andrea Marto, Ervin Bushati, Namik Dokle, Blerina Gjylameti, Mimoza Hafizi, Evis Kushi, Pjerin Ndreu, Ervin Koçi, Alfref Peza, Namik Kopliku, Ilir Xhakolli, Piro Lutaj, Arben Çuko, Dashamir Kamberi, Vladimir Kosta, Besnik Baraj, Musa Ulqini, Fatmir Toçi, Eduard Bejko, Klodiana Spahiu, Adelina Rista, Erjeta Alhysa, Luljeta Arapi, Artan Gaçi, Vasilika Hysi, Esmeralda Shkjau, Anila Agalliu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat